Darzezë, rinisin reshjet e forta, vështirësohet gjendja

04/02/2015 00:00

E vetmja ndihmë që ka ardhur gjatë orëve të para të paradites së të mërkurës për banorët e fshatit Darzezë janë një zjarrëfikëse dhe një autobot me ujë të pijshëm, e asgjë më shumë, qoftë nga pushteti lokal apo dhe ai qëndror.

Pas komunikimeve të korrepondentit të Top Channel, Shpëtim Cane, me autoritetet vendore, është mësuar se nuk është bërë e mundur të dërgohen ndihma deri më tani, pasi po priten Emergjencat Civile të marrin këto ndihma nga qeveria, ndërsa pranojnë se s’kanë dërguar asnjë ndihmë pasi prioritet është evakuimi i banorëve të mbetur të izoluar, e që nuk kanë pranuar të evakuohen, nëse nuk u shpëtohet edhe bagëtia.

Ndaj dhe ka nisur kështu evakuimi i një pjese të mbetur të bagëtisë së rrethuar nga uji. Konkretisht bëhet fjalë për 3-4 familje që, edhe pse nuk rrezikohen seriozisht, për masë paraprake kërkohet evakuimi i tyre, por ata duan të qëndrojnë për të ruajtur bagëtinë.

Nga Shtabi i Emergjencës kanë bërë të ditur se po mundohen të bindin me të gjitha mënyrat njerëzit të largohen, pasi në radhë të parë vlen jeta e njeriut, pastaj bagëtitë, të cilat në fakt sipas banorëve janë burimi i vetëm i jetesës së tyre, ndaj dhe nuk mund t’i braktisin. Një tjetër shqetësim i tyre është edhe baza ushqimore për bagëtitë e mbetura gjallë.

Shtabi i Emergjencës ka njoftuar gjithashtu se ndihmat e para mund të mbërrijnë pasditen e sotme, nga Emergjencat Civile. Ndërkohë, këtu ka qenë i pranishëm pak më parë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që pasi ka parë situatën, në një deklaratë të tijën ka ftuar kryeministrin të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, e të vihet në krye të grupit për përballimin e situatës. Gjithashtu fton qeverinë të jetë prezente në Darzezë, si një nga zonat më të prekura.

Duke qenë se thuajse i gjithë fshati Darzezë ndodhet nën ujë, problematika kryesore mbetet transportimi i bagëtisë dhe bazës ushqimore të tyre. Banorët janë mbledhur në qendër të fshatit, por nuk lëvizin dot për të shpëtuar gjë, sepse nuk kanë asnjë mjet për të lëvizur, ndaj janë në pritje të mjeteve nga drejtuesit e emergjencave.

Top Channel