Basha: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme

04/02/2015 00:00

Darzeza është një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në Fier.
Banorët iu ankuan kryetarit të opozitës Lulzim Basha se shteti nuk është
ekzistent për t”i ndihmuar.

“Prioriteti numër një i cdokujt sot duhet të jetë jeta e njerëzve, prona e tyre dhe normalizimi sa më shpejt i furnizimit me ujë, me ushqime dhe me çdo masë që të mos ju ngordhë bagëtia”, shprehet kreu i PD-së.
 
Zoti Basha thote se Qeveria duhet te zhvendoset nga ekranet e televizioneve në terren për të kryer detyrën me mundësitë maksimale të shtetit, përfshirë shpalljen menjëherë të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Burimet e shtetit duhet të jenë në dispozicion të qytetarëve të përmbytur kudo ku kjo ka ndodhur. Këtu nuk ka ardhur akoma askush. Mungesa e ujit të pijshëm, mbytja e bagëtive, përparimi i nivelit të ujit dhe futja e tij edhe më thellë në shtëpitë e banorëve përbëjnë një rrezik real dhe në përparim. Nuk e kuptojmë se përse Qeveria nuk ka shpallur akoma gjendja e jashtëzakonshme. Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme, duhet shpallet si e tillë, Kryeministri duhet të marrë masat e plota. Të dislokohet numri i mjaftueshëm i burimeve për t’ju ardhur në ndihmë”, tha Basha.

Zoti Basha, i cili vizitoi komunën e përmbytur të Novoselës, në zonën e Vlorës u tregua i kujdesshëm të tregoje bashkepunimin e perfaqësuesve vendore të opozites me autoritetet qendrore për kapërcimin e situatës.

“Ne si opozitë jemi në krah të qytetarëve. Ju kërkojmë atyre që të bashkëpunojnë me autoritetet. Kemi dhënë garancinë se deputetët e PD, pushteti vendor do të bashkëpunojnë plotësisht, por Kryeministri duhet të zgjohet nga gjumi”, tha Basha.

Kreu i opozitës vizitoi edhe banorët e fshatit Ferras, ku pa nga afër problemet e tyre dhe bëri sërish thirrje për ndërhyrje dhe ndihma të menjëhershme nga qeveria.

Top Channel