Hyseni: Liberalizimi i vizave frenon emigrimin ilegal

04/02/2015 00:00

Emigrimi i mijëra kosovarëve ka shqetësuar ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Kosovë, të cilët kanë thirrur ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni për të raportuar për situatën.

Në këtë takim të mbyllur për mediat, ministri Hyseni ka thënë se shkaqet ekonomike po bëjnë që një numër i madh i qytetarëve të marrin një rrugë pa krye. Sipas Hysenit, liberalizimi i shpejtë i vizave mund të ndalë gjendjen e krijuar javëve të fundit.

Sipas një komunikate për shtyp të lëshuar pas këtij takimi, ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian kanë porositur qytetarët e Kosovës që emigrojnë ilegalisht se nuk do t’u ofrohet azil dhe rrjedhimisht do të kthehen të gjithë në Kosovës.

Por pavarësisht thirrjeve të qeverisë së Kosovës dhe të vendeve të BE-së për kthim mbrapsht, largimi i kosovarëve duket se nuk ka të ndalur.

Top Channel ka qëndruar të mërkurën në fshatin Prekoc të Prishtinës, nga ku janë larguar shumë banorë. Më të dukshme këto largime janë në shkollën e fshatit.

Dramën e të ikurve mund ta tregojnë tashmë vetëm ata që kanë mbetur, ndërsa mungesat për arsye largimi raportoheshin edhe gjatë pranisë së grupit të xhirimit në zyrën e drejtorit.

“Nga data 19 dhjetor 2014 deri më 3 shkurt 2015, kur drejtori i shkollës raportoi në Drejtorinë Arsimore në një mbledhje të jashtëzakonshme, kanë qenë 21 nxënësit që kanë munguar. Ndërsa sot listës iu shtuan edhe dy nxënës të tjerë”, tregon Besim Arifi, sekretar i shkollës fillore “Nexhmi Mustafa”.

Arsimtarët e kësaj shkolle thonë se çdo ditë e më shumë shtohen mungesat e nxënësve që bashkë me familjet po braktisin vendin.

Agnesa Shala nga klasa e tetë ka emigruar javën e kaluar dhe para se të largohej ajo kishte njoftuar shoqen e bankës, Drenushën. “Agnesa ka ikur të shtunën, më duket se në mesditë. Më tha se do të ikte jashtë për një jetë më të mirë”, tregon Drenusha Shala.

Edhe në klasën e nëntë të kësaj shkolle, ku prej një jave mungon nxënësja Rina Berisha, janë të shqetësuar me emigrimin.

“Të them të drejtën, ajo për dy ditë kishte qenë e sëmurë me grip dhe unë shpresoja se do të kthehej në shkollë. Por prindi i saj erdhi këtu dhe për fat të keq më dha një lajm që nuk e prisja, se ajo do të ikte nga shkolla”, thotë mësuesi Osman Dragusha.

Shoqja e bankës tregon se ikja nuk ka qenë e papritur. “Të gjithë u përlotëm. Veç përshëndetjes, ajo nuk mundi të na thoshte ndonjë gjë më shumë. Unë e kam përjetuar shumë keq largimin e saj, sepse në këto 9 vite kemi krijuar lidhje shumë të forta dhe kemi qenë si motra. Ishte shumë e vështirë për mua, por nëse ka shkuar për më mirë, ishallah e gjen të mirën”, thotë Gresa Berisha.

Largimi i kosovarëve ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian ka marrë përmasa shqetësuese, ndërsa institucionet kosovare deri tani nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret, përveç deklaratave për të kërkuar liberalizimin e vizave.

Top Channel