Prishtinë, prezantohet “Libër Kujtimi i Kosovës”

04/02/2015 00:00

Të mërkurën në Prishtinë është prezantuar baza e të dhënave të “Libër Kujtimi i Kosovës”, një projekt që fakton jetët e humbura dhe njerëzit e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.

Kjo bazë e të dhënave është hartuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe zyra e tij në Kosovë, i përbërë nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë për analiza statistikore të humbjeve në njerëz në konfliktet e armatosura.

Përveçse një përmendore e viktimave të krimeve të luftës, kjo bazë u jep hetuesve të këtyre krimeve dhe historianëve fakte nga disa burime të pavarura, të cilët mund t’i kontrollojnë përmes emrave, vendeve dhe ngjarjeve.

Për herë të parë në historinë e Ballkanit, numrat janë zëvendësuar me emra të cilët nuk lejojnë hapësira për manipulime, minimizim apo ekzagjerim.

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut Natasha Kandiç, koordinatore e projektit, tha se po të mos ishin këto të dhëna përpjekja për publikimin e fakteve dhe pranimit të së vërtetës do të ishte shumë më e vështirë.

“Dua t’ju kujtoj se falë të dhënave të grumbulluara kemi zbuluar se kush është njësiti “Skorpion”. Kemi zbuluar që ky njësit ishte grupi policor që ka vepruar në Kosovë dhe para saj në Bosnje e Hercegovinë, ku ka marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës. Ky është një nga kontributet e ruajtjes dhe grumbullimit të të dhënave. Brigada e 37-të e armatës së Jugosllavisë ishte e pranishme në zonat e Drenasit dhe Skënderajt dhe vetëm për një kohë të shkurtër gjatë fushatës së NATO-s janë vrarë më shumë se 400 njerez, shumica e të cilëve ishin civilë dhe jo në luftë të drejtpërdrejtë. Në janar të vitit 2012, institucionet e asaj periudhe dhe presidenca serbe me në krye Boris Tadiç, nëpërmjet ministrit të atëhershëm Dragan Sholdanoviç, i kanë hedhur poshtë këto fakte duke akuzuar Fondin se po punon kundër ushtrisë dhe shtetit”, deklaroi Kandiç.

Gramoz Berisha, i mbijetuari i masakrës së familjes Berisha në Suharekë, vlerësoi punën e bërë në këtë projekt, por tha se nuk është punuar mjaft nga institucionet shtetërore lidhur me viktimat e luftës në Kosovë.

Në bazë të 31 mijë e 600 dokumenteve është dokumentuar vdekja ose zhdukja e 13.535 njerëzve, prej të cilëve 10.812 shqiptarë, 2.197 serbë dhe 526 romë, boshnjakë, malazezë e komunitete të tjera.

Prezantimi i stastistikave të projektit u bë nga Patrick Ball, ekspert për analizën e shkeljeve të të drejtave të njeriut në konfliktet e armatosura dhe Michael Spagat, ekspert për “matematikën e luftës” në Universitetin e Londrës.

Top Channel