Dorë për dore, presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker shoqëroi përzemërsisht në ambjentet e Komisionit kryeministrin e ri të Greqisë, Alexis Tsipras, me të cilin, siç parashikohej, bisedoi mbi propozimet për ristrukturimin e borxhit grek.

Vizita e parë zyrtare e Tsipras në Bruksel nuk u pasua me deklarata publike nga ekzekutivi europian, ndryshe nga organi legjislativ, ku megjithëse nuk u lejuan pyetje nga gazetarët pati një qëndrim publik mbështetës të presidentit Martin Schulz.

“Është një kryeministër që po lufton për bashkëpunim europian dhe jo ndarjen e Greqisë dhe ky është një sinjal fort i mirë, që e mbështes me gjithë zemër dhe jam optimist. Qytetarët e thjeshtë grekë kanë paguar faturën gjatë viteteve të fundit dhe tashmë u takon atyre që i nxorrën paratë jashtë shtetit përgjatë këtyre viteve që të kontribuojnë gjithashtu për zgjidhjen dhe mendoj se qeveria, e cila po punon në këtë drejtim, mund të mbështetet tek Parlamenti Europian dhe në tërësinë e institucioneve europiane”, deklaroi Schulz.

“E di se historia e Bashkimit Europian është një histori mosmarrëveshjesh, por dhe kompromisesh në fund dhe ne kemi vullnetin për të punuar në këtë drejtim. Ne respektojmë rregullat e Bashkimit Europian dhe duam të korrigjojmë kuadrin aktual, jo ta shmangim atë. Ajo çfarë ka rëndësi për ne është se brenda kuadrit mund të gjejmë zgjidhje të përbashkëta të zbatueshme për njerëzit tanë dhe perspektivën tonë të përbashkët”, tha Tsipras nga ana e tij.

Ndërkohë, pas takimit me kryeministrin grek, presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk u shpreh përmes një komunikate se, “Përsa i takon ndihmës financiare europiane ndaj Greqisë theksova nevojën për një zgjidhje të pranueshme për të gjitha shtetet anëtare të përfshira në negociata”.

Sipas tij, “këto negociata do të jenë të vështira dhe do të kërkojnë dialog, bashkëpunim dhe vendosmëri nga Athina”.

Negociatat mbi krizën e borxhit grek pritet të mbahen më 11 shkurt, në takimin e jashtëzakonshëm të 19 ministrave të Financave të zonës euro, që mblidhen një ditë përpara mbajtjes së samitit europian të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.

Top Channel