Koreja e Veriut: Do shkruajmë faqen e fundit të historisë së SHBA

04/02/2015 00:00

Koreja e Veriut deklaroi të mërkurën se nuk e sheh të nevojshme vazhdimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara për programin e vet bërthamor dhe akuzoi Uashingtonin se po komploton për të rrëzuar regjimin popullor.

Deklarata të tilla Peniani i lëshon thuajse çdo vit në këtë periudhë, për të rritur tensionet në rajon në vigjilje të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, që zakonisht nisin në muajin mars.

Por këtë vit, vendi komunist deklaroi se do të ndërpresë testimet bërthamore nëse Shtetet e Bashkuara heqin dorë nga stërvitja ushtarake me Seulin.

“Në kohën kur sjellja gangstere e imperialistëve të Shteteve të Bashkuara kërcënojnë me rrëzimin e regjimit popullor, ushtria dhe populli i Koresë së Veriut nuk i mbetet zgjidhje tjetër veçse të njoftojë administratën e Obama-s se nuk ka nevojë as dëshirë për të vazhduar negociatat”, thuhet në një deklaratë të Komisionit Kombëtar të Mbrojtjes së Koresë së Veriut, komision që drejtohet nga udhëheqësi i regjimit, Kim Jong Un.

Në deklaratë, ku përdoret emri zyrtar që regjimi ka emërtuar veten, Republika Popullore Demokratike e Koresë, kërcënon Shtetet e Bashkuara ‘se do t’i shkruajë faqen e fundit të historisë së ekzistencës’.

“Sulme me armë bërthamore, sulme me trupa tokësore, detare dhe nëndetare, nga ajri dhe lufta kibernetike do të përdoren  për të shkruajtur faqen e fundit të historisë së Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

Ky reagim i Penianit mbërrin pas një deklarate të presidentit Obama të 22 janarit kur duke folur për internetin dhe lirinë e tij tha se nuk është e largët koha kur interneti të hyjë në Korenë e Veriut dhe njerëzit të dalin nga izolimi dhe regjimit të shkërrmoqet.

Top Channel