Mbajtja e ekuilibrit delikat mes punës dhe familjes është një përpjekje për të gjitha gratë që punojnë, aq më tepër për gratë politikane. Dy nga politikanet tona të njohura, Eglantina Gjermeni dhe Lajla Përnaska, tregojnë eksperiencën e tyre në këtë përpjekje të vështirë.

“Pritshmëritë janë që gratë të jenë “superwomen”, t’i bëjnë të gjitha”, thotë zonja Gjermeni.

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit është nëna e dy fëmijëve. Në kohën që i hyri politikës (në vitin 2009) djalin e kishte adoleshent, ndërsa vajzën e vogël, Megin, vetëm 2 vjeç e gjysmë. Tani që ka marrë detyrën e vështirë të ministres, sigurisht që mbajtja e ekuilibrit është bërë akoma më e vështirë.

“Përpiqem të jem për përrallën e mbrëmjes, por ndodh edhe që kthehem dhe e gjej në gjumë. Më vjen keq që nuk bëj dot detyrat me të”, tregon Eglantina Gjermeni.

Lajla Përnaska e ka kaluar tashmë këtë periudhë, por ende i ka të freskëta kujtimet kur i hyri rrugës së politikës në vitin 1995 dhe djalin e kishte 3 vjeç. E kanë ndihmuar prindërit, por kjo nuk e lehtëson shumë, veçanërisht tani që djali i është rritur.  

“Do kisha dashur shumë të luaja më shumë me të, të ndaja kënaqësitë e moshës së tij. Ne prindërit mundohemi ta kompensojmë mungesën tonë me lodra dhe veshje, por që nuk mjaftojnë asnjëherë”, tregon Përnaska.

Edhe pse të birin e ka marrë me vete vazhdimisht në punë që në moshën 6 vjeç dhe tashmë e ka në krah, herë pas here e ngacmon për të shkuarën: “Kur e pyes se çfarë do kishte dashur që të bëja unë ndryshe, më thotë që ka shumë gjëra, por gjithashtu thotë që më mirë kështu pasi edhe ai ka mësuar nga një eksperiencë ndryshe. Mundohet të më qetësojë.”

Në dijeni të plotë të kësaj mungese, të gjitha nënat përpiqen të bëjnë maksimumin. Eglantina Gjermeni shprehet: “Mundohem që kur kaloj kohë me fëmijët të kaloj “kohë cilësore”, por jo gjithmonë ia dal mbanë. Ka shumë raste kur ti përcjell stresin e punës te fëmijët.”

Përveç ngarkesës dhe orëve të vona në punë, grave në politikë u duhet edhe më shumë përpjekje për të luftuar me ndjenjat e fajit dhe këto të fundit ndodh shpesh të fitojnë mbi pasionin për punën.

“Koha ikën shpejt dhe fëmija rritet shpejt. E kam peng faktin që nuk i kam kushtuar më shumë kohë djalit”, thotë Përnaska.

Por, përveç pengjeve personale, atyre u duhet të përballen dhe me reagimet e fëmijëve. Gjermeni kujton : «Një herë, Megi me shaka më ka thënë që donte një mami normale që kthehet nga puna në orën 4.”

Në të vërtetë, nuk janë vetëm nënat politikane që ndodhen mes këtyre ndjenjave e dilemave që sjell mbajtja e ekuilibrit punë-familje. Janë të gjitha nënat profesioniste të cilat për të ecur në karrierë kanë nevojë për ndihmë.  

“Angazhimi në jetën publike është sfidë e madhe për të gjithë dhe nuk ia dalim dot vetëm. Duhet të kemi një sistem mbështetës, familje dhe miq, të cilët emocionalisht dhe fizikisht duhet të na qëndrojnë afër”, shprehet ministrja Gjermeni.

Top Channel