Politikanët që u bënë prindër

04/02/2015 00:00

Kur flitej për Rilindjen, nuk na e merrte mendja se këtu do të përfshihej edhe kuptimi i parë i fjalës. Sepse në fakt, gjatë muajve të fundit, ka vërtet shumë politikanë dhe politikane të së majtës që presin të bëhen apo janë bërë prindër. Megjithatë, edhe e djathta nuk mbetet prapa.

Erla Mëhilli, zëdhënësja e Berishës, prej një muaji është bërë mamaja e një djali të vogël që quhet Akid. E pagëzoi të birin me emrin e babait të Pirros së Epirit dhe ne urojmë të bëhet i fortë si ai.

Dhe meqë jemi tek e djathta, nuk mund të lëmë pa përmendur dhe Arben Ristanin, i cili u bë baba për herë të dytë pasi adoptoi një vogëlush 1-vjeçar, Tomasin.

Silvi Bardhi, zëdhënësja e Partisë Demokratike, është shtatzënë gjithashtu edhe pse mëmësinë e ka për herë të dytë. Vetëm para dy vitesh ajo solli në jetë Jonin.

Dhe kur flasim për shtatzaninë nuk kemi si lëmë pa kujtuar dhe dy mikeshat, Olta Xhaçka dhe Elisa Spiropali. E para në ditët e fundit të pritjes së ëmbël, ndërsa e dyta vetëm dy muaj larg momentit kur do të bëhet nënë.

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, po e shijon mëmësinë mes zyrës së punës, axhendës së ngjeshur dhe shtëpisë ku e pret i vogli Luis, i cili tashmë po rend drejt muajit të katërt. Pothuaj 3 herë në ditë ai viziton të ëmën në zyrë për t’u mëkuar.

Po ashtu, deputetja Miranda Rira e Elbasanit është bërë nënë prej 4 muajsh e gjysmë.

Siparin e lindjeve e hapi Linda Rama me sjelljen në jetë të Zahos në korrik të vitit të shkuar.

Top Channel