Ato vërtetojnë tezën se mëmësia dhe politika nuk e pengojnë njëra-tjetrën.

Janë politikane të njohura në botë me familje të madhe që kanë mbajtur poste të larta në vendet e tyre. Po sa të madhe do të thoni ju…

Ursula von der Leyen,  aktualisht ministrja e Mbrojtjes gjermane, e vetmja femër që ka mbajtur këtë post në historinë e Gjermanisë, ka shtatë fëmijë. Edhe para se të vinte në këtë detyrë, në vitin 2013, ajo ka qenë vazhdimisht drejtuese në disa ministri të tjera. Familja e saj është e pasur dhe bashkëshorti i saj në pjesën më të madhe të kohës kujdeset për shtatë fëmijët. Në intervista të ndryshme ajo ka thënë se shumë burra duhet të ndjekin shembullin e të shoqit dhe se i inkurajon gratë që punojnë të kenë fëmijë.

Segolen Royal, aktualisht ministre e Ekologjisë në Francë dhe mbajtëse e disa posteve ministrore më parë, është nëna e katër fëmijëve që kanë për baba Presidentin e Francës, Hollande. Cifti është divorcuar, por që të dy kanë ecur fuqishëm në politikë. Royal në vitin 2007 ishte kandidatja për presidente kundër Sarkozi.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka më shumë raste të tilla. Nensi Pelosi, femra politikane me post më të lartë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka 5 fëmijë. Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve hyri në politikë në vitin 1969, pikërisht kur lindi fëmijën e fundit. Megjithatë, priti derisa fëmijët t’i hynin në shkollë për të marrë poste të larta.

Sarah Pelin, një tjetër politikane e njohur amerikane, ish-kandidatja për zëvendës- presidente e SHBA-së, gjithashtu ka pesë fëmijë, njërin prej tyre me sindromën daun.

Vërtetime të përputhshmërisë së politikës me mëmësinë nuk kemi pse i gjejmë vetëm në formën e familjeve të mëdha. Pothuajse të gjithëve na kujtohet rasti i Lincia Ronzulit, italianes në Parlamentin Evropian, e cila e mori vajzën me vete që 6-javëshe. Vogëlushja Viktoria tashmë është bërë 4 vjeç.

Top Channel