Moti i keq, avari në rrjetin elektrik, pa energji disa zona në jug

04/02/2015 00:00

Rikthimi i motit të keq ka rikthyer edhe avaritë teknike në rrjet dhe nënstacionet elektrike në jug të vendit.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi pasditen e së mërkurës se reshjet e shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar defekte në Rrethin e Vlorës.

Duke qenë në situatën e përmbytjeve, OSHEE njofton se përparësi u është dhënë riparimit të defekteve që lanë pa energji hidrovoret. Në dy të tilla, në hidrovorin e Akërnisë dhe në atë të Radhimës është rikthyer energjia.

Operatori njofton se e ka të pamundur ndërhyrjen në kabinat e pushtuara nga uji dhe se transformatori i nënstacionit Xhuherinë është djegur duke lënë pa energji fshatrat Llakadund dhe Qendër në Vlorë.

Defektet  në linjën Babicë-Smokthinë-Kuç-Himarë kanë lënë pa energji komunat Brataj, Vranisht dhe për disa orë edhe fshatrat Dhërmi, Livadhë, Qeparo dhe Jalë. Energjia në këto zona është rikthyer pas riparimit të defektit nga OSHEE, ndërsa problematik është riparimi i stacionit të pompimit të Ujësjellësit të Selenicës.

Në Qarkun e Fierit, pikërisht në Komunën Dërmenas, të goditur nga përmbytjet, një kabinë e shpërndarjes së energjisë është e tëra nën ujë duke lënë pa energji disa zona të kësaj komune.

Në Gjirokastër për shkak të avarive kanë mbetur pa energji fshatrat Krinë, Tranushishtë dhe Saraqishtë.

Top Channel