Hetimet për kërcënimin ndaj Bashës, Shullazi merret në pyetje

04/02/2015 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje Emiljano Shullazin në lidhje me akuzat për kërcënim ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Emri i Shullazit është përmendur disa herë në daljet publike të demokratëve që e akuzojnë atë për kërcënim të Lulzim Bashës nëpërmjet deputetes Voltana Ademi.

Gjatë marrjes në pyetje, mësohet se Emiljano Shullazi ka mohuar akuzat se ka kërcënuer kreun e opozitës nëpërmjet deputetes Voltana Ademi.

Marrja në pyetje është bërë pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e vënë në lëvizje për çështjen në fjalë pas denoncimit të 9 janarit nga ana e deputetes Ademi.

Në disa dalje të tilla, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani akuzoi Kryeministrin Rama për lidhje me Shullazin.

“Kreu i bandës kriminale përfitoi nga favoret e krijuara prej Edi Ramës dhe pas përplasjes së përgjakshme me të vrarë e të plagosur ai bridhte i lirë nëpër baret e Tiranës. Këto janë rrethana që Emiliano Shullazit ia krijoi Kryeministri i vendit sipas paktit kriminal”, deklaronte Ristani në një konferencë për mediat rreth një muaj më parë.

Top Channel