Përmbytjet, Panariti letër bankave: Të ndihmojmë bizneset

04/02/2015 00:00

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti u është drejtuar me një letër Bankës së Shqipërisë dhe bankave të tjera të nivelit të dytë, me kërkesën për t’u ardhur në ndihmë bizneseve dhe fermerëve të dëmtuar nga përmbytjet e fundit në vend.

Në letrën e tij, ministri Panariti parashtron një sërë kërkesash si: të pezullohen pagesat e kësteve të kredive, të hiqen penalitetet për vonesat në shlyerjen e detyrimeve dhe dhënia e mëtejshme e kredive për bizneset e sektorit bujqësor e ushqimor.

“Vetëm kështu do të mund t’u vijmë në ndihmë fermerëve dhe bizneseve të dëmtuara”, vlerëson ministri i Bujqësisë në letrën e tij drejtuar sektorit bankar të vendit.

Ndërsa pak më vonë, në një intervistë telefonike për TCH, ministri ka dhënë disa detaje mbi kërkesën e tij.

“Në raste të tilla aplikohen të ashtuquajturat “periudha faljeje” dhe për këtë arsye unë u jam drejtuar BSH dhe bankave të nivelit të dytë për të gjitha bizneset që janë prekur nga kjo tragjedi natyrore. Kam kërkuar pezullimin e penaliteteve dhe ristrukturimit të kredive. Kjo parashikohet nga vetë praktika financiare e bankave dhe unë që në këto momente kam pasur një miratim nga një prej tyre. Besoj se nesër do të kemi edhe miratime të tjera, që janë shenjë e vullnetit të mirë për përballimin e situatave të tilla dhe për t’i dhënë një shtysë bizneseve që është vërtetuar se janë dëmtuar”, ka deklaruar Panariti.

Sa për situatën ministria ka thënë se, “nesër parashikohet të ketë një mot të mirë dhe duke qenë se reshjet do të rikthehen njësitë shtetërore do ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë periudhë për të ndarë ushqime në mënyrë të orgnaizuar, për të larguar trupat e kafshëve të mbytura, etj.

“Gjithashtu, kemi siguruar dezinfektantë që do të bëjnë pastrimin e zonave ku do të groposen kafshët, në mënyrë që të parandalojmë shfaqjen e epidemive”, ka thënë Panariti.

Ai ka bërë me dije më tej se, subjekte të ndryshme private janë shprehur të gatshme për të ofruar ndihma ushqimore, ndërsa ka shtuar se ka nisur edhe llogaritja paraprake e dëmeve, ndonëse nuk ka dhënë një shifër.

Top Channel