Dëmtohet diga e Manskurisë, Tahiri dhe Haxhinasto inspektojnë zonën

04/02/2015 00:00

Diga e rezervuarit të Manskurisë në Golem të Kavajës është dëmtuar. Ky rezervuar furnizon me ujë impiantin e ujësjellësit të Durrësit dhe është ndërtuar disa vite më parë, por specialistët kanë vërejtur shembje në strukturën e digës që mund të sjellin edhe çarjen e saj të plotë.

Drejtuesit e ujësjellësit, specialistë dhe ministrat Haxhinasto e Tahiri kanë inspektuar vendin ku është krijuar dëmi.

“Dëshiroj të shpreh shqetësimin tim për ndryshimet dhe dëmet që ka pësuar kjo digë nga një ndërhyrje këtu, për impiantin e marrjes së ujit. Kjo është një çështje që do të marrë një hetim të thellë dhe do të shihet në të gjitha planet e atyre që kanë lejuar dhe atyre që kanë realizuar projektin”, deklaroi Haxhinasto.

“Shumë shpejt policia do të nisë një hetim lidhur me dëme që mund t’i kenë ndodhur kësaj strukture për efekt të ndërhyrjeve të gabuara. Hetimi do të përfshijë projektimin dhe implementimin e projektit, sepse është e rëndësishme shmangia e përsëritjes së këtyre ngjarjeve, sidomos kur përgjegjëse është dora e njeriut”, tha nga ana e tij Tahiri.

Menjëherë në vend kanë nisur punimet për evitimin e pasojave më të rënda që mund të shkaktojë çarja e kësaj dige në rrezen e së cilës ndodhen shumë zona të banuara.

Top Channel