Reduktohet sipërfaqja e përmbytur; banorët rikthehen në banesa

04/02/2015 00:00

Reshjet e shiut vijuan edhe gjatë të mërkurës në të gjithë territorin e vendit, edhe pse jo me intensitetin e tre ditëve më parë.

Në zonat e përmbytura në Fier dhe Vlorë, banorët në pjesën më të madhe u rikthyen në shtëpitë e tyre. Kërkesat që ata kanë janë ndihmë në ushqime për familjet e tyre dhe veçanërisht për bagëtitë e mbetura gjallë.

Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, duke u shprehur se sipërfaqja e përmbytur është reduktuar ndjeshëm, krahasuar me 17 mijë hektarë që ishte më parë.

“Pavarësisht reshjeve të ditës së mërkurë lumenjtë nuk kanë pasur prurje për dalje të ujërave nga shtrati. Shumica e banorëve janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërsa po vazhdojnë operacionit për pastrimin e banesave”, tha Prençi.

Drejtori i Emergjencave Civile shtoi se në ditët në vijim nuk ka premisa për përsëritje të përmbytjeve të ditëve të fundit, ndërsa u shpreh se po vazhdohet me shpërndarjen e ndihmave për familjet e dëmtuara.

“Ditën e mërkurë janë shpërndarë në të gjithë territorin e pushtuar nga uji rreth 2600 pako ushqimore dhe uji të pijshëm. Gjithashtu janë shpërndarë rreth 120 çadra, të cilat mund të përdoren edhe për strehë për banorët, por edhe për bagëtitë e shpëtuara”, tha Prençi.

Nga të dhënat e publikuara nga autoritetet lokale mësohet se janë rreth 600 banesa të prekura nga dalja e Vjosës, 18 prej të cilave ndodhen nën ujë; rreth 3.500 hektarë tokë nën ujë; 110 familje të evakuuara; ndërsa janë 602 familjet e dëmtuara rëndë, jo vetëm tek shtëpitë por dhe tek bizneset lokale.

Situata është megjithatë në përmirësim, por shqetësuese është argjinatura e Selevecit, e cila nëse shëmbet nga vërshimi i ujërave rrezikon të arrijë deri në qytetin e Vlorës.

Gjatë ditës në të gjitha fshatrat e komunës janë shpërndarë ndihma në ushqime, ndërkohë që banorët kanë kërkuar edhe batanije e veshje.

Megjithatë, ndihma më e madhe është dhënë nga vetë banorët për njëri-tjetrin. Gjatë orëve të përmbytjes, të gjitha familjet u strehuan dhe u ushqyen në banesat e të afërmve të tyre, në zonat jashtë përmbytjes.

E ndërsa personat e aftë për punë u rikthyen në zonën e përmbytjes për të rekuperuar çfarë ka mbetur, të moshuarit dhe fëmijët e mitur ndodhen ende tek të afërmit e tyre.

Thirrje për solidaritet bënë më herët edhe deputetët e zonës, të cilët shpërndanë ndihma financiare dhe ushqimore.

Pas largimit të plotë të ujërave, banorët shpresojnë në një vlerësim të drejtë dhe në dëmshpërblim nga ana e shtetit, për shkak se pjesa më e madhe e ekonomisë bujqësore dhe blegtorale e tyre është dëmtuar shumë rëndë.

Top Channel