Shpërndahen ndihma për familjet e përmbytura në Urën Vajgurore

04/02/2015 00:00

Emergjencat Civile në Urën Vajgurore kanë shpërndarë ndihma për familjet e dëmtuara nga përmbytja e këtyre ditëve.

Me dhjetëra familje kanë marrë ndihma në ujë të pijshëm dhe në veshmbathje. Sapo kanë mbërritur në qendër të Urës Vajgurore grupi i Emergjencave Civile kanë kontaktuar me krerët e Bashkisë dhe me Shtabin e Emergjencës, të cilët gjatë gjithë këtyre ditëve kanë qenë në gatishmëri, ndërsa dy ditët e fundit kanë nxjerrë të gjitha të dhënat për familjet e dëmtuara. Ndihmat janë shpërndarë nëpër banesa sipas anëtarëve të çdo familjeje.

Shefi i Emergjencave ka pohuar se do të jenë pranë familjeve në nevojë në çdo moment, ndërsa do të vijohet me ndihma të tjera për këta banorë.

Në Qarkun e Beratit, si pasojë e përmbytjeve, janë dëmtuar ndjeshëm 65 familje, ndërsa kanë nevojë për ndihmë pothuajse të gjitha familjet, pasi dëmtimet janë të konsiderueshme. Një pjesë e banorëve po rikthehen në banesa, një pjesë po qëndrojnë tek të afërmit, ndërsa të tjerë po qëndrojnë në qendrën shëndetësore.

Top Channel