Banka Qendrore Europiane ka ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj Greqisë, duke kufizuar financimin për bankat e vendit.

BQE lëshoi një deklaratë ku thoshte se nuk do të pranojë më bono qeveritare si kolateral për kreditimin e parave të bankave në Greqi. Banka Qendrore Europiane tha se pezullimi erdhi pasi ajo nuk mundi të arrinte një marrëveshje të suksesshme për borxhin prej 240 miliardë euro, të cilin Greqia e mori për të dalë nga kriza.

Qeveria e re e Greqisë është në bisedime intensive me kreditorët ndërkombëtarë mbi kushtet e ndihmës, për të cilat drejtuesit e rinj mendojnë se janë të ashpra.

Ministri grek i Financave, Janis Varoufakis, u shpreh se vendimi i BQE-së, i cili do të hyjë në fuqi më 11 shkurt, do të kishte një ndikim negativ në financat e vendit.  

Të mërkurën, Varoufakis u takua me presidentin e BQE-së, Mario Draghi për të diskutuar shpëtimin e vendit.

“Ne patëm një diskutim shumë të frytshëm dhe shkëmbyem mendime në lidhje me kufizimet, rregullat dhe kushtet, në procesin me të cilin duhet të ndahen marrëdhëniet midis Greqisë, eurozonës dhe BQE-së”, kështu deklaronte ministri i Financave menjëherë pas takimit me Draghi-n, por duket se diskutimi nuk paska qenë edhe aq i frytshëm. Analistët janë shprehur se vendimi i BQE ishte një shenjë se takimi nuk kishte qenë i suksesshëm.

Varoufakis pritet të takohet ditën e sotme me homologun e tij gjerman, Wolfgang Schaeuble, i cili është njëri prej atyre që e kanë kritikuar më shumë qeverinë e re greke.

“Jam jashtëzakonisht i etur për t’u takuar jo vetëm me një ministër të Financave, por me një fuqi intelektuale që qëndron pas projektit të BE-së dhe unionit monetar, me Dr. Schaeuble”, ka thënë Janis Varoufakis.

Top Channel