Vlorë, Vjosa 30 cm larg pikës maksimale

05/02/2015 00:00

Niveli i lumit të Vjosës është rritur sërish në orët e fundit, pavarësisht reduktimit të ndjeshëm të intensitetit të reshjeve.

Sipas informacioneve të fundit të dhëna nga ekspertët vendorë të qarkut të Vlorës, lumi Vjosë ndodhet 30 centimetra larg pikës maksimale.

Autoritetet saktësojnë se niveli i lumit, i cili në fillim të javës doli nga shtrati dhe përmbyti shumë komuna, veçanërisht atë të Novoselës, është rritur në orët e natës me 1.5 metra.

Në zonat e përmbytura në Fier dhe ne Vlorë, banorët në pjesën më të madhe janë rikthyer në shtëpitë e tyre për të shpëtuar ç’të mundin dhe kërkesa kryesore drejtuar autoriteteve është t’u dërgohen ndihma në ushqime për familjet dhe veçanërisht për bagëtitë e mbetura ende gjallë.

Repartet e ushtrisë kanë vazhduar shpërndarjen e pakove me ndihma, të cilat vijnë nga bizneset, Kryqi i Kuq dhe rezervat e shtetit dhe individët.

Pas largimit të plotë të ujërave banorët shpresojnë në vlerësimin e drejtë dhe në një demshpërblim nga shteti, pasi pjesa më e madhe e ekonomisë bujqësore dhe blegtorale e tyre është dëmtuar shumë rëndë.

Ndërkohë, problem për të gjitha zonat e përmbytura mbetet emergjenca nga dekompozimi i mijëra kafshëve dhe shpendëve që u mbytën nga vërshimi masiv i ujërave.

Pavarësisht pranisë së ujërave, në disa vende kërkohet ndërhyrje për asgjesimin apo groposjen e shpejtë të kafshëve të ngordhura, një pjesë e madhe e të cilave janë ende të shpërndara nëpër ujë apo në tokat ku më parë vërshuan ujërat.

Top Channel