“Gazetari, informim dhe komunikim” prezantohet në Tiranë

05/02/2015 00:00

Në Institutin Italian të Kulturës është prezantuar libri “Gazetari, informim dhe komunikim” i gazetarit italian Roberto Baldassari.

Në praninë e pjesëmarrësve në këtë event, mes tyre ambasadori italian Massimo Gaiani, autori foli për lindjen e një modeli të ri gazetarie, me zhvillimin e teknologjive dhe internetit. Ky është dhe subjekti i librit të Baldassarit, i cili është duke u përkthyer në shqip.

“Në këtë moment kemi dy mundësi, jo më shumë. Mund të asistojmë në ndryshimin që po ndodh, ose mund të jemi vetë ndryshimi. Janë dy nivele të ndryshme. Ne mund të mbledhim informacione, por mund të jemi edhe informacioni”, deklaroi Baldassari.

Ky prezantim u bë në kuadër të “Takimeve me autorët”, të organizuara çdo muaj nga Instituti Italian i Kulturës.

“Janë takime me persona që kanë shkruar gjini të ndryshme, si eseistikë mbi një sërë argumentesh, ashtu edhe letërsi. Por dëshirojmë të sjellim këtu edhe persona që hapin debate e diskutime dhe që japin ide mbi tema për të cilat kemi interes të përbashkët”, deklaroi Adriana Frissena, drejtoreshë e Institutit Italian të Kulturës.

Top Channel