Kriza ukrainase, NATO forcon praninë në lindje. Hollande e Merkel në Kiev

05/02/2015 00:00

NATO pritet të njoftojë këtë të enjte detajet e një plani për të forcuar praninë ushtarake të Aleancës në Evropën lindore, si reagim ndaj luftimeve të vazhdueshme në Ukrainë.

Ndërkohë, presidenti francez Francois Hollande ka deklaruar se bashkë me kancelaren gjermane Angela Merkel do të udhëtojë për në Kiev, për të prezantuar një iniciative të re për paqen. Hollande ka thënë se do ta publikojë planin e tij para takimit me presidentin rus Vladimir Putin ditën e premte. 

Nga ana tjetër, ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s do të takohen gjatë ditës në
Bruksel, në përpjekje për t’u garantuar vendeve aleate në lindje të
kontinentit të vjetër mbështetjen e tyre.

Një skuadër e ndërhyrjes së shpejtë e përbërë nga 5 mijë trupa pritet të njoftohet gjithashtu së shpejti, me njësitë drejtuese të saj që do të jenë në gjendje të vendosen brenda dy ditëve nga njoftimi.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se blloku po përballet me një “ndryshim thelbësor” në sektorin e sigurisë për shkak të agresionit rus. Sipas tij, ky do të jetë mobilizimi më i madh ushtarak kolektiv që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

“Kjo është diçka që po e bëjmë si përgjigje ndaj veprimeve agresive që kemi parë nga Rusia, që shkeli ligjin ndërkombëtar me aneksimin e Krimesë”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka nënvizuar se, “kjo është diçka që duhet bërë pasi forcat e NATO-s duhet t’u përshtaten ndryshimeve që po ndodhin sot në botë”.

Aleanca e Atlantikut të Veriut pritet të zbulojë gjithashtu planin për një rrjet qendrash komande që do të vendosen në Estoni, Lituani, Letoni, Poloni, Rumani dhe Bullgari.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry pritet të zhvillojë bisedime në Kiev, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të armëve për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër rebelëve pro-rusë.

Deri më sot administrata amerikane i ka ofruar vetëm asistencë “jovdekjeprurëse” qeverisë ukrainase. Ditën e mërkurë, Ashton Carter, i përzgjedhuri i Shtëpisë së Bardhë për Departamentin e Mbrojtjes, deklaroi se ishte i prirur të niste furnizimin me armë.

Top Channel