Kontigjent i FSK për ndihmë në zonat e përmbytura

05/02/2015 00:00

Në mbledhjen e së enjtes, ekzekutivi kosovar vendosi që të nisë një kontigjent të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Shqipëri, për të ndihmuar qytetarët në zonat e përmbytura nga uji, si pasojë e vërshimeve të fundit.

Vendimi në qeveri u mor pas propozimit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, e cila sipas ligjit për FSK-në duhet të marrë miratimin e Qeverisë dhe autorizimin e Presidentes, si komandante supreme e Forcës së Sigurisë.

“Ne kemi një kërkesë, që të dërgojmë një njësit të FSK-së në Shqipëri për të ndihmuar në parandalimin e dëmeve, që mund të shkaktohen atje nga vërshimet. Presidentja e Republikës së Kosovës, pas marrjes së vendimit nga Qeveria, autorizon dërgimin e kontigjentit të FSK-së dhe, lidhur me këtë, njofton Kuvendin e Kosovës”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Mësohet se njësitet e specializuara të FSK-së për kërkim-shpëtim në zona të katastrofave natyrore tanimë janë të gatshme të nisen drejt Shqipërisë, sapo ta marrin dritën jeshile të presidentes.

Top Channel është interesuar pranë kabinetit të presidentes Atifete Jahjaga, për të parë nëse ajo e ka autorizuar dërgimin e kontigjentit të Forcës së Sigurisë për t’u nisur drejt Shqipërisë.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes, ka konfirmuar se Jahjaga, sapo e ka marrë vendimin e qeverisë, e ka autorizuar FSK-në të niset për operacion në Shqipëri, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në zonat e rrezikuara.

Top Channel