Egjipt, gazetari australian lirohet nga burgu; kthehet në shtëpi

05/02/2015 00:00

Një gazetar i televizionit Al-Jazeera, Peter Greste është kthyer në Australi, për t’i bashkuar me familjen e tij pas lirimit nga një burg i Egjiptit.

Në një konferencë për shtyp ai u shpreh i çliruar dhe përshëndeti fushatën e gjatë për lirimin e tij dhe të kolegëve. Greste dhe dy gazetarë të tjerë u arrestuan në vitin 2013.

Ata u dënuan për përhapje të lajmeve të rreme dhe për ndihmë në favor të Vllazërisë Myslimane. Burgosja e gazetarëve kishte shkaktuar një reagim ndërkombëtar.

Duke folur nga qyteti i Brisbejnit, Greste falenderoi qeverinë australiane, publikun dhe familjen e tij për këtë fushatë të gjatë.

“Së pari falenderoj familjen time për gjithçka që më ka dhënë. Unë e di më mirë se kushdo tjetër se kjo fushatë nuk do të kishte pasur as gjysmën e efikasitetit të saj po të mos kishte qenë për kontributin e jashtëzakonshëm të prindërve dhe vëllezërve të mi”, deklaroi Greste.

Reporteri nuk dha detaje mbi gjendjen në të cilën tre gazetarët janë mbajtur, por tha se kishin kaluar shumë kohë duke u stërvitur për të mbajtur trupin në formë dhe duke medituar.

Kur u pyet për të ardhmen, Greste u kthye nga e ëma, Lois, dhe i tha: “Nënë, të vjen keq të mbyllësh veshët për një moment”. Dhe ajo që u përgjigj: “Bir, unë e di se ç’do të bësh në të ardhmen”.

“Unë nuk dua të heq dorë nga puna ime. Unë jam një korrespondent, këtë punë bëj. Sesi do të vazhdoj më tej me këtë profesion nuk e di”, tha gazetari.

Ndërkohë, kolegët e tij Mohamed Fahmy dhe Baher Mohamed vazhdojnë të qëndrojnë në burg.

Top Channel