Argjinatura e Selevecit, nën kontroll. Rama në fshatrat e përmbytur: Do kompensojmë dëmet në bagëti e bujqësi

05/02/2015 00:00

E gjithë vëmendja e autoriteteve vendore të Vlorës, për momentin është e përqendruar në argjinaturën e Selevecit në zonën e Panajasë, për të ngritur nivelin e saj.

Kalimi i ujit mbi nivelin e argjinaturës do të shkaktonte përmbytjen e Nartës dhe Zvërnecit në perëndim të Vlorës.

Gjatë natës të së mërkurës janë shkarkuar 100 kamionë me inerte proces që vijon pa ndërprerje edhe paraditen e të enjtes. Situatën në këtë argjinaturë të ndërtuar që në vitin 1976 e pa nga afër Kryeministri Edi Rama së bashku me deputetët e zonës Valentina Leskaj dhe Fatmir Toçi.

“Faktikisht kjo është një betejë me natyrën dhe me të shkuarën. Me natyrën, se siç dëshmojnë të gjithë banorët e zonës këtu pati një prurje që mbahet mend vetëm në vitin 1971, por edhe me të shkuarën se kemi trashëguar një sistem të rrënuar kullimi. Është bërë një punë kolosale për të çliruar kanale që nuk ishte pastruar prej më shumë se 20 vitesh. Të gjithë e kanë të qartë që ka ende shumë punë për t’u bërë”, tha Rama.

Gjatë ndjekjes nga terreni të situatës në Qarkun e Vlorës, Kryeministri Rama vizitoi një banesën e përmbytur të një familje në fshatin Fitore të Novoselës për të cilin në ditët e shkuara opozita ka deklaruar se këtu  ka munguar prezenca e shtetit.

“Do të përballojmë njëherë këtë situatë emergjence që nuk ka përfunduar lidhur me motin se ka akoma një pritshmëri në bazë të të dhënave meteorologjike për reshje të reja”, tha Rama.

Ndërsa në fshatin Ferras të Fierit Kryeministri Rama u njoh me masat e marra për dezinfektimit të bagëtive të ngordhura.

“Të gjitha bagëtitë janë të grupuara, dizinfektuar dhe do groposen. Shërbimi do të jetë këtu 24 orë në 24”, thotë Ministri Panariti.
 
Dëmet janë të mëdha. Një blegor i këtij fshati thotë se uji i ka rrëmbyer 480 kokë dele dhe 430 qingja.

“Gjëja e parë që kemi folur me ministrin për çdo kre të humbur menjëherë do t’ua zëvendësojmë. Kjo është parësore. Të falenderoj për besimin është rasti ta provosh dhe ta shikosh vetë që nuk gabon që beson”, deklaroi para tij Kryeministri Rama.

Në fshatin Kafaraj të Komunës Frakull, kryeministri është takuar me fermerë, serat e të cilëve janë shkatërruar nga përmbytja.

“Është e sigurtë që ne nuk do t’ju lëmë vetëm kur të mbarojë kjo histori, për të marrë me radhë një nga një detyrimet tona dhe për të qenë pranë jush. Këtë ua them unë. Dëmet në krerë, dëmet në prodhim janë prioriteti kryesor. Ministri i Bujqësisë i ka çuar një letër të gjitha bankave, por letra është vetëm hapi i parë. Unë do t’i takoj vetë ata, të gjitha burimet që burojnë nga kreditë të trajtohen në mënyrë krejtësisht të veçantë”, deklaroi para banorëve të këtij fshati Kryeministri.

Top Channel