Rrëfimi i pengut francez në duart e ISIS: Britanikët, militantët më të egër

05/02/2015 00:00

Gazetari francez i mbajtur peng nga ISIS për 10 muaj rrëfeu në një intervistë për CNN momentet e tmerrit të përjetuara në duart e militantëve të dhunshëm, më të egërit nga të cilët sipas tij ishin ata britanikë.

Didier Francois u la i lirë në muajin prill bashkë me tre reporterë të tjerë francezë pas një viti robëri në Siri. Në bashkëbisedimin me Christiane Ammanpour, 53-vjeçari dha detaje të tjera të kalvarit të tij.

Një ndër dëshmitë më tronditëse ishte pikërisht ajo që kishte të bënte me militantët britanikë të ISIS, të njohur ndryshe si “Beatles”.

“Anëtarët nga Britania të Shtetit Islamik ishin më të egërit. Pengjeve u jepnin ushqim më të mirë sesa xhihadistët e tjerë, por kur vjen fjala tek rrahjet, të tyret ishin më ekstremet”, deklaroi Francois.

Francois foli edhe për ekzekutorin e disa pengjeve të huaja, i njohur si “xhihadisti John”. “E keni parë edhe në video. Është një njeri me të cilin nuk do të donit të kishit punë”, tha gazetari.

Por ndoshta më e rëndësishmja në deklaratat e tij ishte bindja e krijuar prej tij në 10 muajt e pengmarrjes se, në thelb Shteti Islamik nuk është një lëvizje fetare, por politike.

“Nuk flitej pothuajse fare për Kuranin në atë kamp. Edhe kur kishte diskutime për ndonjë tekst, ato nuk ishin fetare. Besimi që kishin rojet tona, me aq sa pash, ishte në nivel personal”, tregoi Francois.

Sa për qetësinë e çuditshme të pengjeve përpara ekzekutimit, përfshirë britanikun David Haines, i cili në sekondat përpara vdekjes dukej shumë i relaksuar, gazetari francez, që intervistën e realizoi në anglisht, dha këtë sqarim:

“Të burgosurit kërcënoheshin vazhdimisht me vdekje dhe militantët talleshin duke simuluar kryqëzime dhe ekzekutime. Pengjet thjesht nuk e kuptuan se këtë radhë do të ishte e vërtetë”.

Top Channel