Tiranë, vidhte bankat me karta të klonuara, arrestohet shtetasi turk

05/02/2015 00:00

Kryente transaksione bankare nëpërmjet përdorimit të kartave bankare të
klonuara, pranë ATM-së së një banke të nivelit të dytë në rrugën “Hoxha
Tasim”, në Tiranë, arrestohet shtetasi turk.

Burime nga policia bëjnë me dije se Bayram Savas, 35 vjeç këto veprime i kryente me qëllim vjedhjen e llogarive bankare. Operacioni i koduar “Pasha”, i krye nga Sektori për Krimet Kompjuterike në bashkëpunim me ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Turku është hetuar për disa muaj dhe pas identifikimit të tij, u bë i mundur arrestimi në flagrancë. Bayram Savas u prangos në momentet kur po kryente transaksione bankare nëpërmjet përdorimit të kartave bankare të klonuara. Nga hetimet rezulton se ky shtetas e ka kryer këtë veprimtari për një kohë disa mujore të mënyrë periodike. Të dhënat e kartave bankare të përdorura i përkasin klientëve të bankave të nivelit të dytë në Shqipëri, Turqi dhe vende të tjera të BE-së, e më gjerë.

Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 1000 dollarë, 3000 euro, 300.000 lekë, 20 copë karta plastike me shirit magnetik me informacion bankar të klonuar, 2 aparate telefonik dhe dokumente identiteti qipriote dhe turke. Materialet në ngarkim të tij,  i kaluan Prokurorisë së Tiranës,  për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi Kompjuterik”.

Top Channel