Turqi, zbulohen 50 kg heroinë në kamionin me targa shqiptare; 5 në pranga

05/02/2015 00:00

Një kamion me targa shqiptare është kapur nga autoritetet turke me 50
kilogramë heroinë. Lajmi që bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve
“Milliyet”, bën të ditur se lënda narkotike u gjet në një makinë e cila
transportonte materiale hidro-sanitare, lavamanë dhe rubineta dushi.

Droga kishte si destinacion Shqipërinë për t’u trafikuar më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Heronia u zbulua dhe u sekuestrua në doganën “Halkali” të Stambollit falë përdorimit të qenve antidrogë, të cilët me nuhatjen e tyre kanë pikasur pluhurin e bardhë.

Mediat turke kanë publikuar menjëherë lajmin, i cili është shoqëruar edhe përmes një videoje të hedhur në “YouTube”, ku agjentët anti-drogë kanë bërë sekuestrimin falë nuhatjes së pagabuar të qenve.

Nga kontrolli, doli se droga ishte 50 kilogramë dhe se ishte e ndarë në 98 pako të lidhura me natriband. Sipas asaj që shfaqet në video, droga gjendej kudo, në kuti të vogla dhe të mëdha, madje e futur edhe në aparate ngrohëse dhe ftohëse të ujit që shërbejnë si bolierë.

Prokuroria, pasi konfiskoi makinën me targa shqiptare, ka ndaluar dhe arrestuar pesë persona të dyshuar si trafikantë të këtij rrjeti.

Top Channel