Qëndrimet e Greqisë dhe Gjermanisë mbeten diametralisht të kundërta. Këtë e ka konfirmuar, edhe pse pa qenë nevoja, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble.

“Jemi dakord për të mos u marrë vesh”, ka thënë ai në përfundim të takimit me homologun grek Yanis Varoufakis.

Ky i fundit nga ana e tij ka thënë se, “Greqia mbetet një vend i zonës euro” dhe se “ajo ka nevojë për mbështetjen politike, teknike dhe morale të partnerëve evropianë.

Por duket se Schaeuble nuk ka lëshuar pe. “Greqia duhet të punojë me FMN-në, BQE-në dhe Komisionin Evropian, pra, me tre institucionet me të cilat ka ndërmarrë programin e ndihmave”, ka thënë ministri gjerman.

I vetmi lëshim i tij ka qenë kur ka thënë: “Gjermania duhet të kuptojë vështirësitë që ka kaluar populli grek dhe të respektojë progreset që ka bërë, pasi Greqia i përket Evropës”.

Me pak fjalë, ministri i ri grek i së majtës radikale nuk ka arritur të zbusë “ujkun e vjetër” të politikës gjermane, mbrojtës i fortë i një politike evropiane të rreptë, aq sa kritikët e tij e shohin si një politikë masash mbytëse.

Deklarata e tij ka ardhur gjithashtu pak orë pas vendimit të BQE, për të mos pranuar më vonë se 11 shkurti titujt e borxhit publik grek, si garanci për borxhet e saj.

Ndërkohë, në mëngjes, në Paris, presidenti francez Francois Hollande priti kryeministrin e ri grek Alexis Tsipras, të cilit i sugjeroi të shkojë në Berlin dhe të takojë kancelaren Angela Merkel.

“I thash Tsipras, shko takoje kancelaren, sepse është gjëja e duhur për t’u bërë kur i përket një komuniteti dhe e garantova se ajo do ta presë”, deklaroi Hollande.

Ndonëse foli për një marrëveshje, edhe Hollande duket se i bëri një “dush të ftohtë” mysafirit të tij.

“Duhet të gjejmë një marrëveshje, një paketë referimi për grekët në mënyrë që të bëjnë reformat, të paguajnë borxhet dhe njëkohësisht të gjejmë solidaritetin evropian. Të gjitha këto duhen bërë pa humbur kohë”, deklaroi Hollande.

Top Channel