Kosovë, qeveria u fal borxhet qytetarëve dhe bizneseve

05/02/2015 00:00

Qeveria e Kosovës vendosi të enjten që të falë të gjitha borxhet që qytetarët e Kosovës dhe bizneset i kanë shtetit dhe kompanive publike që nga periudha e luftës e deri më fund të vitit 2008.

Kryeministri Isa Mustafa tha se ky vendim është në të mirë të qytetarëve, do të fusë më shumë mjete në qarkullim dhe do të ndihmojë kompanitë publike që t’i pastrojnë bilancet financiare fiktive.

“Është një stimul për zhvillimin ekonomik, sepse do të kemi më shumë mjete në qarkullim dhe do të rrisim kërkesën agregate në ato zona ku automjetet nuk shkojnë. Po ashtu, kjo amnisti do të ndihmojë kompanitë publike dhe qeverinë që të mos merren me çështje të së kaluarës, të mos mbajnë bilance fiktive, por t’i pastrojnë ato dhe të fillojnë një etapë që do të jetë reale në përpjekjet për arkëtimin e borxheve”, deklaroi Mustafa.

Ky vendim i qeverisë i amniston të gjithë debitorët që nuk kanë paguar energjinë elektrike, tatimet ndaj shtetit, si dhe borxhet në Administratën Tatimore dhe në Dogana.

Mes qindra miliona eurove borxhe janë dhe 400 milionë euro fatura që serbët e Kosovës i kanë Korporatës Energjitike të Kosovës, pasi ata nuk e kanë paguar asnjeherë energjinë që pas luftës.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili e shpjegoi vendimin e qeverisë pas mbledhjes, tha se shuma totale e borxheve që do të amnistohen do të miratohet pas një muaji, kur qeveria do të llogarisë shumën e plotë.

“U pajtuam që të krijojmë një komision i cili do të shqyrtojë mundësinë për faljen e të gjitha borxheve që bizneset dhe qytetarët e Kosovës kanë ndaj institucioneve të vendit dhe ndaj ndërmarrjeve publike, deri më 31 dhjetor 2008. Viti 2008 normalisht është vit i ndryshimeve të mëdha kapitale që kanë ndodhur në Republikën e Kosovës. Është shpallja e pavarësisë, aprovimi i Kushtetutës, përfundimi i ligjeve të UNMIK-ut dhe fillimit të funksionimit të ligjeve të Republikës së Kosovës. Ne e shohim të nevojshme të kemi një fillim të ri me qeverinë e re, por të kemi edhe një shkëputje prej së kaluarës dhe të merremi me të ardhmen”, deklaroi Hoti.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për miratimin e projekt/dokumentit për ngritjen e nivelit të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i cili rekomandon plotësimin dhe ndryshimin e ligjit ekzistues ose hartimin e ligjit të ri.

Kabineti qeveritar ka themeluar edhe dy Këshilla Organizativë, njërin për shënimin e 7-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe tjetrin për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këto dy manifestime qeveria ka ndarë nga 50 mijë euro.

Top Channel