Ekspertët: Nuk do ketë përmbytje

05/02/2015 00:00

Nuk ka asnjë rrezik për përmbytje të tjera, të paktën për 5 ditët e
ardhshme.Të dhënat e Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e
Rreziqeve natyrore tregojnë se ndonëse gjatë ditës së premte do të ketë
reshje shiu, këto do të jenë më të pakta se ato të ditëve të shkuara,
duke mos rrezikuar daljen nga shtrati të lumenjve.

“Momentalisht të gjithë lumenjtë shqiptarë ndodhen në kuota të larta të volumit të tyre ujor, por brenda shtratit të vetë natyral. Me aq sa mund të parashikojmë ne, për 3 deri 5 ditët e ardhshme nuk paraqitet ndonjë rrezik i shtuar nga përmbytjet. Me prurje më të larta momentalisht paraqiten lumenjtë e zonës veriore por kjo do të jetë në varësi të temperaturave. Për ditët në vijim temperaturat parashikohen që do të jenë me një ulje të ndjeshme prandaj edhe këto prurje do të jenë në varësi të temperaturave, ndaj kryesisht do të jenë të stabilizuara”, thotë Klodian Zaimi, ekspert hidrolog në IGJEUM.

Qendra ka paralajmëruar një rrezik të mundshëm përmbytjesh nga lumenjtë Vjosa dhe Seman që në datën 28 janar. Ky material pas verifikimeve nga Qendra Europiane e parashikimit të përmbytjeve u ka kaluar institucioneve përgjegjëse.

“Rreth 4 ditë para se të ndodhte përmbytja e kishin njoftimin e duhur emergjenca civile po dhe popullsia në zonën e rrezikuar për eventin në fjalë”, thotë Zaimi.

Në kuadër të ndryshimeve klimaterike, kjo qendër e ngritur pranë Institutit të Gjeoshkencave, energjisë, ujit dhe mjedisit, falë edhe mbështetjes së GIZ-it, ka nisur një sistem paralajmërimi për Drinin dhe Bunën dhe po punon për ta shtrirë këtë projekt në gjithë lumenjtë e vendit, në mënyrë që të paralajmërojë popullsinë dhe njësitë vendore të prirura për t’u prekur nga përmbytjet.

Top Channel