Dortmund, Klopp: Meritojmë të kritikohemi, na duhet më shumë besim

05/02/2015 00:00

Jurgen Klopp pranon se Borussia Dortmund ka nevojë të kritikohet, madje ashpër, pasi tifozët vendas e vërshëllyen ekipin gjatë humbjes së 11 sezonale. Ata u mposhtën brenda në shtëpi, të mërkurën, 1-0 nga Augsburgu, të cilët luajtën për 20 minutat e fundit me një lojtar më pak.

Dortmundi është në një pikë për të ardhur keq, teksa besimi është në nivelet më të ulëta, pikërisht 3 ndeshje përpara sesa të nisë edhe faza e 1/8-ave të Champions League, kur ata do të përballen me Juventusin.

Kampionët e Gjermanisë në sezonin 2011-12 tashmë përballen me rrezikun e rënies nga kategoria për herë të parë që prej vitit 1972, por kanë një tjetër mundësi të mirë për të marrë disa pikë tepër të nevojshme, kur të përballen me Freiburgun, rival për rënie, ditën e shtunë.

Fansat e apasionuar të Borussias kanë shprehur irritimin e tyre me kore vërshëllimash pas ndeshjesh ndaj Augsburgut, teksa portieri veteran Roman Weidenfeller dhe kapiteni Mats Hummels, iu afruan tribunave të tyre për t’iu kërkuar ndjesën e radhës.

“Rezultati na ka dëmtuar edhe më keq, por nuk mund të pretendojmë se s’kemi çfarë të bëjmë pas këtij rezultati”, tha Klopp. “Nuk bëmë asgjë me mundësitë që na u dhanë, kështu që nuk ka asgjë pozitive për të raportuar nga kjo sfidë. Pas kësaj performance, fansat mund të na akuzojnë për gjithçka, por ne nuk do të dorëzohemi. Fakti që edhe nervat kanë rolin e tyre në lojë, në një situatë si kjo, nuk mund të diskutohet. Por, duhet të marrim një rezultat nxitës për më tej. Duhet t’iu rikthejmë besimin djemve, ndaj dhe po punojmë për këtë”.

Top Channel