Lista Serbe bojkoton punimet në Kuvend

05/02/2015 00:00

Pas mungesës në mbledhjen e qeverisë të ministrave të dalë nga Lista Serbe, edhe deputetët e kësaj liste kanë bojkotuar punimet në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës.

Nëntë deputetë të komunitetit serb nuk ishin të pranishëm në punimet e Kuvendit këtë të enjte, ndërkohë që në seancë mungonin edhe ministrat serbë në qeverinë e Kryeministrit Mustafa.

Bojkotimi i institucioneve të Kosovës prej partisë serbe ndodh pas vendimit të marrë prej Kryeministrit Isa Mustafa për të shkarkuar Ministrin serb, Aleksandar Jabllanoviç.

Ndërkohë, Lista Serbe njoftoi se do të marrë vendim mbi qendrimin që do
të mbajë sa i përket pjesëmarrjes ose jo në institucionet kosovare
brenda dy ditëve, kohë kur do të ketë përfunduar edhe takimi i radhës i
dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Shkarkimi i këtij të fundit dhe mospërfshirja e Trepçes në dialogun me Beogradin ishin kërkesat kryesore të opozitës kosovare në protestën masive të disa ditëve më parë, ku u regjistruan edhe incidente.

Ish-ministri serb akuzohej për deklarata antishqiptare, ku në një rast kishte cilësuar si “egërsira” familjarë dhe të afërm të personave të zhdukur që kishin dalë në protestë në Gjilan.

Jabllanoviç u shkarkua një ditë para protestës së dytë të opozitës, e parashikuar më 3 shkurt, protestë kjo që u anulua pas plotësimit të kërkesës kryesore.

Top Channel