“Bankat, ‘problem’ për ekonominë”

05/02/2015 00:00

Sjellja e bankave të huaja që janë në shqipëri dhe planet e tyre për të
ardhmen mbetet një e panjohur jo e vogël për ekonominë. Në raportin e
fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë parlajmëron se disa nga
grupet e huaja bankare që operojnë në Shqipëri, mund të tkurrin më tej
investimet dhe aktivitetin e tyre në vendin tonë.

Banka i referohet rezultateve të marra nga pyetjet direkte në mëmat e 5 bankave të huaja, të cilat kanë 54 për qind të tregut bankar në Shqipëri.

Sipas raportit, edhe pse disa nga bankat e intervistuara tregojnë gatishmëri për të zgjeruar operacionet e tyre në Shqipëri, të paktën 2 prej tyre deklarojnë se kanë për synim të reduktojnë më tej operacionet dhe prezencën e tyre në tregun shqiptar. Sipas Bankës së Shqipërisë, bankat mëma vazhdojnë ta shohin Shqipërinë si një treg me potencial të ulët ose mesatar dhe shumica e tyre nuk janë të kënaqura me pozicionimin e tyre në ekonominë tonë.  

Tërheqja e grupeve bankare me origjinë nga vendet e Eurozonës është një fenomen që nuk ka prekur vetëm ekonominë shqiptare. Edhe ekonomitë e tjera në zhvillim të rajonit po përballen me të njëjtën situatë, një tendencë që ka nisur menjëherë pas krizës së vitit 2009.

Në Shqipëri, fenomeni u bë më i theksuar në vitin 2012, ku për shkak të politikave të diktuara nga mëmat e tyre dhe rregullave të imponuara nga Bashkimi Europian, bankat e huaja filluan të reduktojnë me shpejtësi kreditimin e ekonomisë shqiptare.

Ritmet e rritjes së kredisë nga nivele dyshifrore u tkurrën në gati zero, dhe më vonë edhe në rënie. Pasojat negative në ekonominë kombëtare ishin të menjëhershme me rritjen ekonomike, që zbriti nga 3 për qind në gati 1 për qind.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se sjellja e bankave do të përcaktojë jo pak ecurinë e ekonomisë shqiptare në të ardhmen. Deri para krizës sistemi financiar ishte një nga kontributorët kryesorë në rritjen e shpejtë të ekonomisë. Por, veçanërisht pas vitit 2012, ai ka marrë rolin e kundërt. 

Top Channel