Maqedoni, Georgievski: S’kemi kapacitete për të qenë shtet

05/02/2015 00:00

Zhvillimet e fundit në skenën politike në Maqedoni zbulojnë mungesën e kapaciteteve shtetërore të vendit, për t’u përballur me situata problematike.

Kështu është shprehur ish-kryeministri i Maqedonisë, Lubco Georgievski, duke komentuar tensionet e krijuara në skenën politike në Shkup, pas akuzave të pushtetit kundër liderit të opozitës për spiunazh dhe puç shtetëror.

“Maqedonia është një vend, që nuk ka kapacitete të jetë shtet. Vendi ynë ka ngecur në të gjitha proceset. Materialet që i paralajmëron opozita për aferat e qeverisë, mund të prekin zyrtarët në mënyrë individuale, por nuk përjashtohet mundësia, që nga publikimi i atyre dokumenteve të preken edhe raportet ndëretnike, nëse dalin të vërteta paralajmërimet”, tha Lubço Georgievski, ish-kryeministër i Maqedonisë.

Ish-kryeministri maqedonas është i bindur se publikimi i materialeve, që i paralajmëron opozita për aferat e qeverisë, nuk do të kalojë pa pasoja të rënda mbi vendin. Sipas tij, tensionet e fundit në skenën politike janë edhe një dëshmi, se zgjidhja e problemeve të brendshme në Maqedoni është e pamundur pa integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

“Nëse vendi lëviz drejt BE-së dhe NATO-s, të gjithë qytetarët pa dallim etnie do të kenë një qëllim dhe shpresë të përbashkët, në të kundërtën vlerësoj se kriza e brendshme do të thellohet. Për fat të keq, aktualisht ka shumë pak gjëra që i lidhin shqiptarët dhe maqedonasit në këtë shtet, ndaj pa zhbllokimin e proceseve integruese vështirë mund të zgjidhjen problemet”, tha Lubço Georgievski.

Ndërkohë, mediat në Shkup, duke u bazuar në burime diplomatike, njoftojnë se ambasadorët e BE-së në Maqedoni, një ditë më parë kanë zhvilluar një takim për të analizuar pasojat që mund të sjellë kriza e fundit politike.

Mësohet se, në këtë takim, diplomatët e huaj kanë theksuar seriozitetin e situatës dhe kanë shprehur brengosjen e tyre të thellë për tensionet në skenën politike në Shkup.

Pushteti në Maqedoni akuzoi liderin e opozitës, Zoran Zaev, për tentativë për marrjen e pushtetit me dhunë, në bashkëpunim me shërbimet e huaja, pasi Zaev paraprakisht kishte paralajmëruar se do të bëjë publike shumë dëshmi për “veprimet kriminale të qeverisë”.

Top Channel