“100 vitrinat” është telenovela që ka bërë histori në televizion. Një nga prodhimet më jetëgjata, që ka filluar të transmetohet 13 vite më parë dhe aktualisht, ekipi vijon xhirimet për episodet e sezonit të 15.

Seriali televiziv i prodhuar në Itali ka filluar transmetimin në “Canale 5”, në janar të vitit 2001, ndërsa prej dhjetorit të 2014-s ai transmetohet në “Rete 4”. Por, telenovela me producent ekzekutiv Daniele Carnacina, prej më shumë se një dekade transmetohet edhe në televizionin Top Channel.

I shfaqur për herë të parë në vitin 2003, sot numëron plot 2907 seri të transmetuara në këtë kanal. Këto seri i përkasin sezonit të 13 të “100 vitrinave” dhe sigurisht, çdo seri e prodhuar do të vijojë të shfaqet edhe në ekranin tonë.

Por çfarë e ka bërë kaq të suksesshme dhe jetëgjatë këtë telenovelë? Shumë ngjarje kanë marrë rrjedhë dhe janë shuar, shumë personazhe kanë ikur dhe janë rikthyer, të tjerë janë larguar përfundimisht për t’u zëvendësuar me figura e personazhe të rinj. Ajo çfarë nuk ndryshon nga seriali, është vendi ku zhvillohen ngjarjet, në qendrën tregtare të “100 vitrinave”, me qendër në Torino të Italisë.

Seriali shumë i suksesshëm tregon historitë e disa personazheve, që zhvillohen paralelisht, personazhe të cilët punojnë në qendrën tregtare imagjinare, “100 vitrinat”. Në këtë qendër ka selinë edhe një grup financiar shumë i rëndësishëm “Gruppo Ferri”. Histori dashurie dhe pasioni, tradhëti, hakmarrje, por edhe lufta për pushtet dhe shkëmbime karrikesh, janë ngjarje që ngrejnë krye dhe intrigojnë shikuesit e “100 vitrinave”.

Seriali, sigurisht që ka pësuar shumë ndryshime, në ngjarje dhe personazhe. Por, ajo çfarë bën përshtypje është figura e përhershme e kësaj telenovele, e personazhit të Laura Beccaria, interpretuar nga aktorja Elisabetta Coraini. Madje çfarë bën përshtypje në këtë serial, i zhvilluar në më shumë se një dekadë e gjysmë, është rinia e përhershme e Laurës.

Dhe sa i përket qëndrueshmërisë së aktorëve, sigurisht që duhen përmendur edhe Roberto Alpi, i cili interpreton Ettore Ferrin, Pietro Genuardi në rolin e Ivan Bettini-t, Sergio Troiano në rolin e Valerio Bettini-t, si dhe Daniela Fazzolari, e cila interpreton Anitën e më vonë Diana Ferri-n. Këta janë personazhe thuajse të vazhdueshëm, të cilët janë përfshirë në prodhimin e telenovelës në intervale të rregullta kohore.

Por, vlen të përmenden për praninë e tyre të vazhdueshme në telenovelë, edhe dy aktore të tjera, edhe pse personazhe në role dytësore. Ato janë Clara Droetto, në rolin e Agnesës, punëtorja e vilës “Ferri”, dhe Emanuela Tittocchia, në rolin e Carmen Rigonit, e cila luan shitësen e agjencisë së udhëtimeve, si dhe mikja e besuar e Laura Beccaria-s.

Një nga figurat më interesante në këtë prodhim kolosal është absolutisht personazhi i Ivan Bettinit. Në gjithë zhvillimin e ngjarjeve, ai është ndër personazhet që ka pësuar metamorfozën më të fortë. Në fillim të serialit, Ivan shfaqet si pjesëtar i grupit “Ferri” dhe krahu i djathtë i presidentit Ettore Ferri. Me një veshje shumë negative, episod pas episodi, Ivani arrin të transformohet në një personazh të dashur dhe me tipare pozitive. Në seritë e fundit të transmetuara në Top Channel, Ivani po përjeton një krizë shpirtërore, pasi sapo është ndarë nga e dashura e tij e fundit.

Top Channel