Rezervuari i Manskurisë në Golem, banorët mes ankthit e frikës nga rreziku i përmbytjeve

05/02/2015 00:00

Familje të tëra jetojnë nën akthin e përmbytjeve në zonën e Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës. Shtëpi, ndërtesa shumëkatëshe dhe biznese, janë njoftuar nga strukturat shtetërore që të lënë vendbanimet, për shkak të situatës së krijuar në rezervuarin e Manskurisë, që rrezikon t’i përmbysë nga çasti në çast.

Frika se diga mund të çahet nuk rrezikon vetëm zonën, por zbret edhe më tutje… Deri në qytetin e Kavajës.

Në njërën prej shtëpive jetojnë 10 anëtarë të një familjeje të madhe dibrane. Ata kanë qenë ndër të parët, që kanë lënë banesën, menjëherë pasi kanë marrë njoftimin, dhe për pak ditë janë shpërndarë për të qëndruar te të afërmit, por janë kthyer sërish aty.

“Na kanë thënë dilni nga shtëpia, por ne s’kemi ku të shkojmë. Kemi dy ditë që kemi dalë, jetojmë me frikë, sepse na kanë thënë që është hapur një gropë tek ujësjellësi dhe duhet të kemi kujdes. Kemi shkuar te njerëzit tanë. Megjithëse rrezikojmë, edhe këtu në shtëpi duhet të rrimë, sepse është djersa dhe mundi i fëmijëve tanë”, thotë një banore e zonës.

Shumë banorë të tjerë e kanë refuzuar largimin nga shtëpitë. Disa prej tyre nuk kanë dashur të bezdisin të afërmit, për të qëndruar tek ata për një kohë të pacaktuar, ndërsa shumë të tjerë i tremben idesë për ta lënë investimin dhe mundin e një jete vetëm.

“Kanë 4 ditë që na thonë largohuni nga shtëpia, duke mos na dhënë asnjë lloj shprese, asgjë. Por ku të shkojmë ne, a lihet gjithë kjo shtëpi vetëm? Ka 20 vjet që nuk pastrohet as kanali dhe nuk bëhet asgjë. Ata vijnë për të na thënë ikni, por se ku do shkojmë…”, thotë një tjetër banor.

Edhe pse nuk janë në gjendje të parashikojnë përmasat e katastrofës që mund të ndodhë, banorët kanë nxituar të zbrazin katet e para dhe të largojnë bagëtitë në pikat më të larta të zonës. Në shumë raste, ata shpërngulen dhe vetë. Për ta mjafton një dyshek mbi një shtrat të improvizuar kashte.

Nënë Makbulja thotë se në 67 vitet e jetës së saj nuk ka përjetuar një situatë të tillë ankthi. Mbi të gjitha, ata po përballen edhe me mungesën e ujit. Vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, teksa mbi kokë kanë ujësjellësin e Manskurisë dhe nën këmbë tubacionet e tij.

Me frikën për jetën dhe shtëpitë, banorët kërkojnë të dinë se deri kur do të përballen me rrezikun.

“Jetojmë me frikë se mos çahet ajo. Megjithatë, rëndësi kanë njerëzit në radhë të parë, pastaj për gjërat e tjera edhe gjendet zgjidhje”, thotë një djalë i zonës.

Përpara i pret një fundjavë vendimtare, pasi sinoptikanët kanë parashikuar reshje të dendura shiu. Tashmë banorët ngrenë sytë nga qielli, me shpresën që vërshimet e çmendura të ujërave të Manskurisë mos të arrijnë kurrë tek ata.

Rezervuari i Maskurisë në Golem ka pësuar një defekt teknik, çka mund të detyrojë autoritetet të hapin portat. Por, hapja e tyre mund të shkaktojë përmbytje në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe Golem. Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, ka deklaruar se po përpiqen për të mbajtur situatën nën kontroll. Kreu i Komunës Golem, Agron Agalliu, tha se problem mbetet rezervuari i Manskurisë në portën dalëse, e cila do të hapet përkohësisht për shkak të një defekti. Ndërkohë pritet të përmbytet pjesa e ulët e Golemit dhe Shkëmbi i Kavajës.

Top Channel