Shembet rruga e re Gjirokastër-Tepelenë prej lumit Drino

05/02/2015 00:00

Rruga nacionale Gjirokastër-Tepelenë ka pësuar dëmtime serioze në segmentin pranë fshatit Shtepez, në një gjatësi prej rreth 200 metra. Skarpati i rrugës nga krahu i lumit Drino është gërryer nga ujërat dhe është shembur gjatë mesditës.

Specialistët e Drejtorisë së Rrugëve kanë vlerësuar se situata kërkon ndërhyrje emergjente, studim gjeologjik dhe projekt të ri inxhinierik.

Situata u krijua pas reshjeve të dendura dhe devijimit të shtratit të lumit. Shtabi i Emergjencave vendosi bllokimin e aksit dhe vijimin e qarkullimit në një korsi. Deri në pajisjen me sinjalistikën e nevojshme, policia e Qarkullimit Rrugor do të orientojë lëvizjen në këtë segment.

Më parë gjatë ditës është kryer kufizimi i hapësirës së rrezikshme. Situata ishte paralajmëruar si e rrezikshme prej banorëve të zonës, që gjatë reshjeve të vitit të kaluar, por për mungesë fondesh në atë kohë nuk është menduar për ndonjë zgjidhje, qoftë edhe të përkohshme.

Top Channel