Mossad: Europa në rrezik prej celulave terroriste

05/02/2015 00:00

10 qytete europiane mund të sulmohen njëkohësisht prej celulave terroriste të gatshme të godasin në çdo kohë në Romë, Milano, Paris apo Bruksel. Alarmi lëshohet prej shërbimit sekret izraelit, Mossad.

Sulmet mund të ndërmerren prej të infiltruarve të shpërndarë në Europë, që nuk janë të paktë, sipas raporteve. Roli i tyre është të monitorojnë dhe të realizojnë sulmet. Bëhet fjalë për breza të dytë ose të tretë të emigrantëve të ardhur nga Afrika e Veriut apo Lindja e Mesme e që tani gëzojnë pasaportën e një vendi europian.

Sipas Mossad, ata janë të infiltruar në pozicione kyçe dhe nuk mund të identifikohen pasi bëjnë një jetë të zakonshme, sikurse të tjerët. Në fakt në profilet e rrjeteve sociale shumë xhihadistë me dokumenta të falsifikuara dhe profile profesionale janë regjistruar sikur të ishin operatorë mediash, informaticiene, inxhiniere dhe përkthyes.

Sipas agjencisë izraelite të inteligjencës rreth 350 të infiltruarit gjenden në Francë, 622  në Britaninë e Madhe, 162 në Itali, 75 në Belgjikë, 83 në Holandë, 125 në Zvicër, 43 në Danimarkë dhe 220 në Gjermani.

Raportohet gjithashtu se në faqet e internetit të xhihadistëve është hapur një sondazh ku mund të votohet se cili duhet të jetë qyteti që duhet goditur dhe frika është se me të përfunduar koha e këtij sondazhi, mund të ndodhë sulmi.

Pas sulmeve në Paris gjatë muajit janar Europa është në maksimumin e vëmendjes.

Top Channel