Hagel në takimin e fundit të NATO-s: Mos u përçani veri-jug. Adresojini së bashku sfidat

05/02/2015 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, shprehu shqetësimin e tij gjatë së enjtes në lidhje me një përçarje të mundshme veri-jug në NATO, si dhe urdhëroi aleancën të zgjidhë çështjet e shumëfishta të sigurisë në mënyrë të njëhershme, në vend që të përqendrohet vetëm te njëra e më pas te tjetra.

Hagel, duke folur për herë të fundit për NATO-n si shefi amerikan i Mbrojtjes, tha se aleanca atlantiko-veriore përballet me disa sfida, përfshi ekstremizmin e dhunshëm në skajin e saj jugor, agresionin rus në Ukrainë dhe trajnimin e forcave të sigurisë në Afganistan.

“Jam tepër i shqetësuar nga idea se kjo aleancë mund të zgjedhë të fokusohet vetëm në njërën prej këtyre fushave, si prioritet kyç – tha Hagel në një konferencë për shtyp. – Madje shqetësohem edhe për mundësinë e madhe për ndarjen e tyre, mes aleatëve veriorë dhe jugorë”.

Komentet e Hagelit vijnë në një kohë kur aleatët e NATO-s, veçanërisht ata në skajet veriore të Europës, janë të shqetësuar në lidhje me përgjigjen që duhet dhënë ndaj agresionit rus në Ukrainë, si dhe lëvizjet kërcënuese të Moskës në frontin e saj veriperëndimor.

Në Europën jugore, vende si Spanja dhe Italia janë të shqetësuara nga kërcënimet prej Afrikës dhe Lindjes së Mesme, ndaj besojnë se NATO duhet të fokusojë më shumë energji atje, për t’u përballur me ekstremizmin dhe trafikun e drogës, armatimeve dhe qenieve njerëzore.

“Është një metodë ndarëse gjithnjë në rritje, që po e shohim të ndodhë mes veriut dhe jugut”, tha një zyrtar amerikan, në kushtet e anonimitetit.

Zyrtari tha se Hagel e kishte ngritur këtë çështje në një drekë me ministrat e tjerë të NATO-s, disa prej të cilëve kishin shprehur të njëjtat shqetësime. Shefi amerikan i mbrojtjes e ngriti më vonë këtë problematikë në konferencën e tij për shtyp.

“Aftësia e aleancës për t’u përballur me të gjitha këto sfida njëkohësisht, drejt lindjes, jugut apo edhe jashtë territoreve të vendeve anëtarë, është një provë e NATO-s për të ardhmen”, tha Hagel. “Kjo është koha për bashkim, për qëllimet e përbashkëta dhe për mençuri, por edhe për investime afatgjata përreth spektrit të kapaciteteve ushtarake”, tha ai. “Ne duhet të adresojmë të gjitha sfidat ndaj kësaj aleance, të gjithë së bashku dhe njëkohësisht”.

Hagel foli në një takim të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, i cili u mblodh për të nënshkruar një rrjet të ri qendrash komanduese në lindje të Europës, për të përforcuar në kohë të shpejtë rajonin në rast të ndonjë kërcënimi nga Rusia, ashtu sikurse edhe dy seli të reja rajonale, si dhe një forcë më të madhe të reagimit të shpejtë.

Top Channel