Kuvend, opozita: Kompensim 100% dëmeve. Mazhoranca: Ju nuk kompensuat Shkodrën

05/02/2015 00:00

Ashtu siç pritej, seanca parlamentare u përfshi nga debati për zonat e përmbytura. Opozita kërkoi që kryeministri të ishte i pranishëm në seancë, duke e akuzuar për papërgjegjshmëri. Deputetë demokratë akuzuan Qeverinë se nuk po shpall gjendjen e jashtëzakonshme, pasi në këtë rast do të ishte e detyruar me ligj të dëmshpërblente 100 përqind banorët. Por deputetë të mazhorancës replikuan, duke i kujtuar se në tre herë që Qeveria e demokratëve shpalli gjendjen e jashtëzakonshme nga përmbytjet nuk dëshpërbleu asnjë qytetar.

Sali Berisha, deputet i PD: Dhe kur opozita të kërkon të shpallësh gjendjen e emergjencës, duhet t’i thuash 1 mijë herë falemnderit, kështu mendoj unë.

Erion Braçe, deputet socialist: Në të njëjtën situatë, 10 vjet më parë, në të njëjtën zonë, nuk u shpall as gjendje emergjence dhe nuk u dhanë as dëmshpërblime.

Sali Berisha: Unë kërkoj të votojmë sot një amendament, që ata do të marrin sipas vlerës kompensimin e plotë të tyre.

Erion Braçe: Në qoftë se zotëria ka hall paratë e buxhetit të shtetit, apo paratë që nuk po shkojnë atje, ta sheshë Benz-in e tij prej 111 milionë lekësh dhe ta çojmë atje, te zonat e përmbytura, të gjithë këtë shumë. Le të shesë atë dyqanin në mes të ‘Bllokut’, apo ato sende të markave ndër më të njohura që shiten atje në ‘Bllok’, e t’i çojmë të gjitha në Levan dhe Novoselë.

Sali Berisha: E kisha blerë shtrenjtë farë për miqtë e Shqipërisë. Ishte i parkut të delegacioneve dhe nuk kishte ardhur kurrë në Kryeministri, përveç se me miqtë e huaj. Për sa i përket të tjerave, sa ditë punë vullnetare ke bërë në Surrel ti, ke punuar ndopak apo jo? Ti punë vullnetare po bën në Surrel dhe në Karavasta.

Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm: Për cilën arsye – dhe më shiko në sy, sepse unë kam kurajo të të shoh në sy, por ju nuk keni kurajo të çoheni këtu dhe t’u drejtoheni shqiptarëve dhe të mbani përgjegjësi – nuk i keni dëmshpërblyer të përmbyturit në Shkodër dhe kudo në Shqipëri. I keni përmbytur për herë të dytë me gënjeshtrat e qeverisë suaj.

Sali Berisha: Shqiptarët të njohin ty si Saimir Shullazi.

Përkundër detyrimit për dëmshpërblim, për opozitën shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme lehtëson kërkimin e ndihmës financiare nga Brukseli, korelacion që u hodh poshtë nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Kemi bërë kërkesë pranë Bashkimit Europian për të marrë një mbështetje në këtë drejtim. Jemi në diskutime edhe për organizimin e një konference me donatorë ndërkombëtarë, siç është bërë në rastin e Bosnje-Hercegovinës dhe në rastin e Serbisë”, deklaroi kryediplomati i Shqipërisë, Bushati.

Sali Berisha, deputet i PD: Qendra e koordinimit të përgjigjes ndaj katastrofave euroatlantike ka ofruar gatishmërinë për të ndihmuar dhe nga Ministria e Brendshme është dhënë përgjigjja ‘Ne do të ngordhim urie dhe nuk do të kërkojmë asnjë ndihmë’.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati: Nëse nuk më besoni mua, atëherë besojini djalit të Libohovës, që është aq i mençur, saqë qeshte në mënyrë cinike kur fliste një pjesë prej jush.

Genc Ruli, deputet i PD: Ti djalë i vogël i Shkodrës, në qoftë se arrite ti, me aq pak përvojë që ke si ministër, të lexosh buzëqeshjen time cinike, mund të siguroj se nuk ishte aspak cinike.
Tonet racionale në seancë u përpoq t’i sjellë kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi, kur tha se shfaqja në Parlament nuk është serioze dhe aq më pak e përgjegjshme, për ata që janë nën fatkëqësinë e përmbytjeve.

“A kemi mundësi ne 140 veta, atje ku jemi, t’iu bëjmë apel që sipas traditës dhe zakonit shqiptar t’iu gjendemi pranë këtyre njerëzve? Edhe ne do të shikojmë çdo të bëjnë më mirë 100 nga deputetet tanë e deri te përfaqësuesit tanë, por do të doja që solidariteti duhet të jetë më i madh se kaq”, u shpreh Gramoz Ruçi.

Top Channel