Emigrimi ilegal, Jahjaga-Mustafa presin diplomatët e huaj në Prishtinë

05/02/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, zhvilluan sonte një takim me ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së të akredituar në Kosovë, me qëllim adresimin e çështjes së migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës, bën të ditur zyra për informim e Presidencës.

Siç mësohet nga komunikata për shtyp, presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës po i adresojnë me kujdes të gjitha shkaqet e shtimit të numrit të qytetarëve të Kosovës, që migrojnë ilegalisht, dhe po punojnë në zgjidhjen e çështjeve të hapura, në zhvillimin ekonomik të vendit, kthimit të perspektivës së qytetarëve, si dhe vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit.

“Është shqetësues fakti se, për shkak të marrëdhënieve aktuale me Republikën e Serbisë, që ka hapur të gjitha portat për daljen e qytetarëve të Kosovës, institucionet e Kosovës nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë në zhvillimet në kufirin me Hungarinë”, ka deklaruar para ambasadorëve, kryetarja e shtetit.

Në këtë komunikatë thuhet se, Presidentja Jahjaga ka theksuar se është me rëndësi, që ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së të mbështesin përpjekjet e institucioneve të Kosovës, që t’u sqarojnë qytetarëve të vendit qëndrimin e shteteve të tyre për azilkërkuesit.

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së të akredituar në Kosovë, nga ana tjetër, thanë se vendet e tyre po e trajtojnë me kujdes këtë dukuri të kohëve të fundit. Ata theksuan se duhet të paraqiten masat ekonomike për të adresuar situatën. Ata thanë gjithashtu se Kosova duhet të përgatitet për pranimin e qytetarëve kosovarë, pas procedurave të kthimit të tyre në Kosovë.

Top Channel