Elbasan, 6 persona në pranga, prodhonin lëndë eksplozive

05/02/2015 00:00

48 kilogramë eksploziv dhe 150 kapsolla plasës detonatorë janë sekuestruar mbrëmjen e së enjtes nga Policia e Elbasanit, duke vënë në pranga 6 persona.

Sipas burimeve zyrtare nga blutë e Elbasanit, të arrestuarit janë Astrit Blloku 18 vjeç, Aurel Isaku, Altin Balazi, që të tre me banim në komunën Orenjë të Librazhdit, si edhe tre vëllezërit Subi, Edmond dhe Ili Koçi, përkatësisht 22, 23 dhe 26 vjeç, që të tre lindur në Bulqizë dhe banues në komunën Paskuqan, që mësohet se janë të afërm të një prej të arrestuarve.

Ndalimi i tyre u bë pas një hetimi disa mujor, ku mësohet se gjashtë të arrestuarit në bashkëpunim me njëri tjetrin prodhonin në mënyrë artizanale lëndë eksplozive, të cilën e shisnin së bashku me kapsolla plasëse detonatorë dhe fitil detonator.

Pjesën më të madhe të lëndëve plasëse ata e transportonin në Tiranë, ku edhe tregtoheshin nga tre vëllezërit bashkëpunëtorë. Ndërkohë, gjatë një kontrolli ushtruar në banesat e tyre, policia në këtë operacion ka sekuestruar 48 kilogramë lëndë eksplozive dhe 150 copë kapsolla plasëse detonatore, një shumë prej 20 mijë lekësh të reja, dy automjete fuoristrada Mitsubishi dhe 20 aparate celulare të markave të ndryshme të cilat personat i përdornin për të realizuar veprimtarinë kriminale.

Sakaq, hetimet vazhdojnë për të zbardhur të plotë rrethanat e kësaj vepre kriminale si edhe për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në të.

Top Channel