Jordania përshkallëzon hakmarrjen me misionin ajror “Martiri Moath”

05/02/2015 00:00

Dy ditë pas publikimit të lajmit se ISIS kishte djegur të gjallë pilotin jordanez të mbajtur peng, shteti mbretëror i Lindjes së Mesme ka goditur në shenjë hakmarrjeje. Avionët luftarakë jordanezë kanë zhvilluar sulme ajrore gjatë së enjtes, e më pas u kthyen të fluturonin mbi shtëpinë e pilotit 27-vjeçar të vrarë, Moath al-Kasasbeh, në fshatin Ay në njësinë administrative Karak.

Mbreti Abdullah II ndodhej atje për t’i ofruar ngushëllimet familjes së Kasasbeh, duke treguar me gisht avionët luftarakë mbi kokat e tyre, si provë e qenësishme se Jordania po i përgjigjet me forcë këtij akti, gjë që e ka miratuar edhe i ati i të ndjerit.

Babai, Safi al-Kasasbeh, tha për CNN se Mbreti i kishte premtuar atij se Jordania do të hakmerrej për vdekjen e të birit të tij dhe se kishte bombarduar kryeqytetin “de facto” të Shtetit Islamik, Raqqa, në Siri. Të enjten, ai shtoi se Mbreti i kishte thënë se 30 avionë luftarakë jordanezë kishin marrë pjesë në sulmet ajrore.

“Atdheu iu është besuar të gjithëve ju”, tha ai në krah të Mbretit, në deklaratat e transmetuara edhe në televizionin shtetëror, duke iu referuar ushtrisë jordaneze, duke bërë më tej thirrje për unitet kombëtar. “Për ju ushtarë, nderimi i Moathit është përkrahje e betimit tuaj dhe ndjekje e gjurmëve të tij si një ushtar i Zotit, Profetit të tij dhe Islamit, në mbrojtje të atdheut të tij të dashur”.

Në një deklaratë në televizionin shtetëror të Jordanisë, Forcat e Armatosura njoftuan se sulmet ajrore kishin përfshirë edhe qendrat stërvitore të ISIS, depot e armatimeve dhe municioneve, dhe se ishin “vetëm fillimi, pasi ju duhet ta dini se kush janë jordanezët”.

Misioni ajror mori emrin “Moathi martir” dhe erdhi si “kundërpërgjigje ndaj aktit kriminal dhe tepër të ndryrë kundër martirit fisnik”, thuhej në deklaratë.

Objektivat u “shkatërruan tërësisht”, sipas Forcave të Armatosura. Televizioni shtetëror shfaqi edhe pamje filmike ekskluzive të avionëve luftarakë që zhvillonin sulme ajrore ndaj pozicioneve të papërcaktuara të ISIS në Siri.

Top Channel