Apeli lë në arrest me burg Ermal Hoxhën

06/02/2015 00:00

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda la në arrest me burg Ermal Hoxhën, një nga 9 të arrestuarit në operacionin “Xibraka”, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Apeli i Krimeve të Rënda pritet të vlerësojë sot masat dhe për 5 të arrestuar të tjerë, të cilët janë anëtarë të grupit që ngritën një laborator kokaine në Xibrakë të Elbasanit.

Ndërkohë, hetimet po përqendrohen te pasuritë e tyre. Sasitë e mëdha të kokainës që kanë trafikuar kohët e fundit, ka ngritur dyshime se nëntë anëtarët, por edhe ata në kërkim, mund të kenë pasuri të luajtshme apo të paluajtshme në Shqipëri, teksa Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka kërkuar bankave, hipotekave apo QKR-së, për ndonjë pasuri.

Në fokus kanë qenë drejtuesit e këtij grupi, Ilir Hyseni, Gentian Gjonaj apo Ermal Hoxha. Ky i fundit është nipi i diktatorit Enver Hoxha, ndërsa kishte dyshime të mëdha se mund të kishte shumë pasuri, duke parë edhe jetën që bënte kohët e fundit, pas martesës me këngëtaren Rezarta Shkurta. Përgjigjet e para që kanë mbërritur në prokurori kanë qenë “negative” nga hipotekat, pra të arrestuarit nuk kanë prona, ndërsa bankat kanë sjellë të dhëna se disa prej të arrestuarve kanë qarkulluar shuma të mëdha, por aktualisht llogaritë e tyre bankare janë “0”.

Top Channel