Parashikohet rritje e ekonomike; raporti edhe për Shqipërinë dhe vendet e Eurozonës

06/02/2015 00:00

Komisioni Europian publikoi në krye të 100 ditëve parashikimin ekonomik
të dimrit, sipas të cilit, për herë të parë që prej vitit 2007, tashmë
pritet rritje ekonomike në të gjitha vendet anëtare të zonës Euro dhe të
Bashkimit Europian.

“Perspektiva ekonomike e Europës është sot pak më e ndritshme se herën e fundit që paraqitëm parashikimet tona. Rënia e çmimeve të naftës dhe lirësia e euros po japin një dorë të mirëpritur në ekonominë e BE-së. Ndërkohë, Plani i Investimeve për Europën dhe vendimet e rëndësishme të kohëve të fundit nga Banka Qendrore Europiane do të ndihmojnë për krijimin e një sfondi më mbështetës për reformat dhe për politika të zgjuara  fiskale”, thotë Pierre Moskovici, komisioneri për Çështjet Ekonomike, Financiare, Tatimore, Doganore.

Nga ana tjetër,vlerësohet rritje e pasigurisë në vendet e BE-së megjithëse deficitet buxhetore vijojnë uljen sipas parashikimit. Përshpejtimi në krijimin e vendeve të reja të punës, nuk pritet të ulë ndjeshëm nivelin e papunësisë. Rreziqet mbeten pavarësisht përmirësimit ekonomik, ndërsa inflacioni vijon rënien gjatë këtij viti për t’u rritur sërish në 2016.

Parashikimi për Shqipërinë

Dokumenti i publikuar nga Komisioni Europian parashikon gjatë 2015 rritje të vrullshme për ekonominë shqiptare, e cila u rigjallërua në semestrin e tretë të 2014,forcim të bilanceve të përmirësuara fiskale, e zgjerim të mëtejshëm të defiçitit në llogarinë korente për shkak të rritjes së absorbimit të brendshëm.

Fluks investimesh të huaja direkte priten falë kalimit të gazsjellësit transadriatik dhe një projekti madhor hidrocentrali.

“Buxheti 2015, i diskutuar me FMN-në në bazë të marrëveshjes që vijon për kredinë e Shqipërisë dhe i miratuar në Nëntor nga Parlamenti, ngre akcizën dhe taksat e karburantit, si dhe tatimin e vjelur nga  të ardhurat e kapitalit. I shoqëruar me vazhdimin e pritshëm të fitimeve efikase në mbledhjen e taksave dhe një ekonomi në rritje, ai pritet të mbështesë rritjen e të ardhurave me rreth 10% në terma nominalë. Kjo duhet të krijojë hapësirë për vazhdimin e pastrimit të borxheve, rritjen modeste në konsumin e qeverisë, si dhe një egzekutim më të mirë të planeve të investimeve publike. Gjithësesi, objektiv kryesor fiskal mbetet ulja e nivelit shumë të lartë të borxhit publik deri nën 60% në afat të mesëm; Rënia është parashikuar të fillojë këtë vit. Rreziqe negative burojnë nga ndikimi i mundshëm fiskal prej vështirësive të sektorit të energjisë elektrike dhe të skemës që paguan kompensim për pronën e shpronësuar gjatë komunizmit”, thuhet në dokument.

Të dhënat e fundit në mënyrë indirekte, sipas Komisionit, konfirmojnë rritjen e konsumit privat në Shqipëri, kjo e nxitur dhe nga ulja e pritur e inflacionit, çfarë rriti fuqinë blerëse. Për këtë, një nga faktorët vlerësohet të jetë “rënia e çmimeve ndërkombëtare të naftës, e cila duket një bekim i përzier për Shqipërinë, pasi ndikon edhe për investimet e sektorit të energjisë, por edhe  për koston e çmimeve të eksporteve shqiptare.”  

Parashikimi ekonomik i dimrit analizon se kushtet pozitive tregtare të ndikuara nga çmimi më i ulët i naftës në import sjell kompensim të pjesshëm për faktin se  nafta e papërpunuar është dhe mall eksporti, relativisht i rëndësishëm, për Shqipërinë.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel