Rama: Kompensim 100% të dëmeve. Lehtësi për kreditorët

06/02/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, së bashku me disa ministra të kabinetit,
guvernatorin e ri Genti Sejko dhe drejtues të bankave të nivelit të
dytë, u takuan në selinë e Këshillit të Ministrave, për të diskutuar
mundësinë e lehtësirave për kreditë e marra nga fermerët e zonave të
përmbytura.

Se çfarë u arrit në këtë takim detajet i dha Kryeministri në një konferencë për shtyp.

“Kërkesa jonë ishte e qartë. Të gjithë këta kredimarrës, duhet të mos trajtohen njësoj si të tjerët. Atyre duhet t’u jepet një periudhë kohore e arsyeshme, pa asnjë detyrim ndaj bankave, për të bërë të mundur që ndërkohë ndihma që ne do t’u japim t’i rithkejë në pozitë normale ndaj bankave. Edhe përgjigjja e bankave na tingëlloi shumë e qartë: ‘Po! Këtyre kreditorëve do t’u krijohet kjo lehtësi’. Qeveria nuk do t’i shmanget asnjë detyrimi të saj ligjor dhe moral në raport me njerëzit e zonave të prekura nga përmbytjet, por njëkohësisht me t’u kaluar faza kritike e emergjencës prej motit, do të fokusohemi tërësisht në një plan solidariteti social për përballimin e të gjithë pasojave imediate apo afatmesme të përmbytjeve”, tha Rama.

Top Channel: Opozita ngulmon se Qeveria përballë kësaj situatë duhet të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Po të njëjtën gjë la të kuptohet Presidenti i Republikës gjatë konferencës për shtyp. Çfarë e shtyn Qeverinë të mos e shpallë gjendjen e jashtëzakonshme?

Kryeministri Rama: Na e kërkojnë të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme ata që katër e bënë këtë gjë, vetëm me argumentin se vetëm po e shpalle këtë gjendje je i detyruar të dëmshpërblesh 100 për qind të prekurit nga fatkeqësia natyrore në këtë rast. Kanë lënë në kurriz të kësaj Qeverie, mes shumë e shumë borxheve të tjera edhe një borxh prej 37.4 milionë dollarësh, si një borxh ndaj familjeve të prekura nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës gjatë periudhës 2010-2011, në vlerën 21.4 miliardë, ose 21.4 milionë dollarë, dhe si një borxh të mbledhur në vitet e tjera para hatave të Shkodrës në vlerën 16 milionë dollarë. Kush janë këta, që predikojnë nga mëngjesi deri në darkë, si duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe që nuk e kanë haberin fare as se kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe as se kur burojnë detyrimet që vijnë prej saj.

Top Channel