Gjermani, nis punimet Konferenca e 51-të e Sigurisë, mobilizim i përforcuar

06/02/2015 00:00

Prania policore është shtuar ndjeshëm në Mynih, ku 400 politikanë dhe ekspertë do të diskutojnë në Konferencën e 51-të të Sigurisë, mënyrat për të dalë prej krizave aktuale.

Shpresat janë për një takim, i cili të prodhojë hapësira për zgjidhje të reja, atëherë kur përpjekjet diplomatike mbeten në vendnumëro. Vëmendjen kryesore e kanë tema të nxehta, si kundërpërgjigjja që i duhet dhënë mizorive të Shtetit Islamik dhe vazhdimi i dhunës në Ukrainën lindore, ku luftimet e nisura në muajin prill kanë marrë deri tani 5.000 jetë njerëzish.

Përreth godinës ku do të mbahet Konferenca e Sigurisë, policia ka ngritur barrikada e ka mbyllur rrugët. Kontrolle po zhvillohen në çdo cep të qytetit.

“Këtë vit kemi 3.600 kolegë të mobilizuar, që do të thotë 500 më shumë se vitin që shkoi. Kjo për shkak se e vlerësojmë situatën më të rënduar, ndaj dhe vigjilenca duhet të jetë më e madhe. E gjithë bota i ka kthyer sytë nga konferenca e sivjetshme. Situata aktuale do të thotë se ky takim ka rëndësi të jashtëzakonshme edhe politike, gjë që është mjaft e qartë për ne, duke pasur parasysh sesa të ftuar marrin pjesë, shumë më tepër se zakonisht”, tha Wolfgang Winwer, zëdhënës i policisë së Mynihut.

Nga sa sqaroi edhe organizatori Wolfang Ischinger, krizat aktuale janë tepër serioze, çka e shton rëndësinë e kësaj konference për drejtuesit e shteteve, të cilëve u nevojitet zgjidhje e konflikteve.

20 kryetarët e shteteve dhe të qeverive, 60 ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes dhe eskpertët e shumtë do të kenë përse të flasin. Me interes pritet takimi i Presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, me shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, dy figura kyçe të kaheve kundërshtare të një lufte, që ka krijuar çarje të re mes Rusisë dhe Perëndimit.

Ndërkohë, presidenti gjerman, ministri i Jashtëm dhe ministrja e Mbrojtjes kanë premtuar njëzëri përfshirje më të madhe të Gjermanisë në krizat ndërkombëtare, çka nënkupton furnizimin me armë të “peshmergave” kurdë në Irakun verior.

Top Channel