Kosova, ndihma për familjet e përmbytura

06/02/2015 00:00

Mbi 10 maune me ushqim për bagëti, ushqim për njerëz dhe ndihma të tjera janë mbledhur nga bizneset kosovare deri të premten, për t’ua dhuruar familjeve në zonat e përmbytura të Shqipërisë.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, si organizator i kësaj nisme, falenderoi bizneset e Kosovës për kontributin e tyre.

“Është një kërkesë e biznesit kosovar dhe individëve për të përkrahur vëllezërit e tyre në anën tjetër të kufirit dhe unë i falenderoj së tepërmi të gjithë ata që kanë treguar dëshirën e tyre për të ndihmuar në këtë proces”, deklaroi Minxhozi.

Ndërsa kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini ftoi sërish të gjitha bizneset që të kontribuojnë me donacione, duke kujtuar se ishte Shqipëria ajo që i doli në ndihmë kosovarëve në vitin 1999.

“Është një moment që ne t’i përgjigjemi ftesës së atyre njerëzve që sot janë në shi, që kanë humbur shtëpitë dhe bagëtinë. Kjo ftesë na vjen nga Shqipëria dhe ne duhet t’i përgjigjemi asaj sepse ishte Shqipëria e vitit ‘99 që hapi dyert për shumë prej nesh që sot jemi këtu dhe për shumë të tjerë që nuk janë këtu”, deklaroi Shahini.

Në ndihmë të familjeve të prekura nga vërshimet doli edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me ushqime në vlerë monetare prej 900 eurosh, si dhe bizneset e regjistruara në këtë zyrë. Ndihmat e bizneseve kosovare do të nisen të shtunën në orën 9 nga pika kufitare në Vërmicë.

Ndërsa ambasadori Minxhozi njoftoi se autoritetet shqiptare kanë marrë masa që këto ndihma të mos ndalojnë në dogana, por të vazhdojnë direkt në destinacionet e duhura.

Top Channel