“Vendimi për faljen e borxheve, për të frenuar ikjet masive”

06/02/2015 00:00

Vendimi i Qeverisë për faljen e borxheve është një ndër masat e kabinetit “Mustafa” për të frenuar ikjen e kosovarëve. Kështu ka thënë ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një konferencë për media të thirrur enkas për këtë çështje.

Hoti, në këtë konferencë, ka bërë të ditur se do të bëjë edhe disa ndryshime në politikat fiskale me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe krijimin e ambienteve më të favorshme për bizneset.

“Ky vendim ka për qëllim krijimin e një perceptimi të ri për jetë më të mirë në Kosovë, për të ndalur ikjet e mëdha. Ky vendim dhe shumë të tjerë, që po merren në gjithë sektorët qeveritarë, janë për të krijuar kushte më të mira. Ne jemi të vetëdijshëm, që ky vendim do të prekë sidomos rastet sociale dhe familjet me të ardhura të ulëta, të cilat nuk kanë pasur mundësi të shluejnë detyrimet ndaj shtetit. Komisioni, në afat prej një muaji, do të dalë para Qeverisë me propozimin sesi do procedohet më tutje ky vendim dhe si do të zbatohet në praktikë. Qëllimi i këtij vendimi do të jetë që të falen borxhet e të gjithë qytetarëve dhe bizneseve ndaj shtetit dhe ndaj ndërmarrjeve publike”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave.

Gjithashtu, Hoti ka thënë se për tre muaj do të dërgojë në Parlament ligjin e ri të TVSH-së me ndryshime, që do të krijojnë lehtësira tatimore për “të bërin biznes”, ka thënë Hoti. Por, vendimi i Qeverisë për faljen e borxheve 9-vjeçare amniston të gjithë borxhlinjtë, që nuk kanë paguar energjinë elektrike, tatimet ndaj shtetit, si dhe borxhet në Administratën Tatimore dhe në Dogana.

Mes qindra milionë eurove borxhe janë dhe 400 milionë euro fatura, që serbët e Kosovës i kanë Koorporatës Energjitike, pasi ata nuk kanë paguar asnjëherë energjinë që pas luftës.

Top Channel