Arrestohet Shpëtim Gjika, akuzohet për leje të paligjshme ndërtimi

06/02/2015 00:00

Pa u tharë ende boja e një vendimi të gjykatës që e liroi pak javë më parë nga akuzat për ndërtime të paligjshme në Vlorë, një tjetër gjykatë ka vendosur masën “arrest me burg” në mungesë për kryetarin e Bashkisë së Vlorës.

Shpëtim Gjika përfundoi i arrestuar të premten pasdreke si i dyshuar për veprat penale të “falsifikimit të dokumentave”, “shpërdorimit të detyrës”, ndërtimit të paligjshëm” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të kryera në bashkëpunim me drejtoreshën e Planfikimit dhe Kontrollit të Territorit, Doriana Sulaj.

Por pak orë pas arrestimit kryebashkiaku Gjika është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës për shkak të problemeve shëndetësore me zemrën dhe hipertensionin. Kryebashkiaku u shoqërua nga një ambulancë dhe makina policie duke u shtruar në reanimacion.

Vepra për të cilën u prangos Gjika lidhet me një pallat 11-katësh në Vlorë, për të cilin është arrestuar edhe një biznesmen, ndërtuesi Artur Haxhi. Zhurma e arrestimit të kryebashkiakut Gjika pritet të shoqërohet edhe me diskutimet nëse kishte ai apo jo rrezikshmëri për t’u larguar nga vendi, si edhe nëse paraqiste apo jo qytetari i parë i Vlorës rrezikshmëri shoqërore?

Në versionin e saj, Prokuroria e Përgjithshme njofton se Shpëtim Gjika ka bashkëpunuar me të arrestuarën tjetër Doriana Sulaj, duke lëshuar dokumenta me përmbajtje të falsifikuar që më pas kanë sjellë ndërtime të paligjshme në qytetin bregetar.

Prokuroria thotë se gjithçka ka nisur pas kallëzimit të qytetares S. Osmani, kur dhe është regjistruar proçedimi penal numër 1264, që i përket vitit 2014.

Më konkretisht, pretendon prokuroria, dokumentat janë falsifikuar në katër episode, tre prej të cilave kanë lidhje me tre vendime të datës 17 janar 2011 të KRRT-së Vlorë, ndërkohë që e katërta i përket lejes së ndërimit në qershor 2013.

Por Prokuroria e Përgjithshme shpjegon se, në mbledhjen e KRRT-së më 17 janar, duke u nisur nga përmbajtja e protokollit të kësaj mbledhjeje, nuk rezulton të jetë marrë në shqyrtim një kërkesë e tillë për shesh apo leje ndërtimi nga pronarët e truallit, apo edhe nga subjekti ndërtues.

Nuk rezulton gjithashtu që kjo leje të jetë miratuar në favor të pronarëve të truallit. Dokumentat me përmbajtje të falsifikuar thuhet se janë përdorur nga administratori dhe përfaqësuesi i shoqërise ndërtuese “Turi M.Z.B”, shtetasi Artur Haxhi.

Prokuroria thekson se në mënyrë të përsëritur është kërkuar nga Bashkia e Vlorës që të sekuestrohet protokolli i mbledhjeve të KRRT-së në lidhje me mbledhjet e zhvilluara përgjatë 2011-s.

Të bashkarrestuar me Gjikën janë po ashtu edhe drejtoresha Sulaj dhe ndërtuesi Haxhi. Pas arrestimit, në ambjentet e policisë së Vlorës mbërriti avokati i Gjikës, Ardian Leka, i cili nuk dha asnjë koment.

Top Channel