Pentagoni: Putin vuan nga çrregullime psikike, i prekur nga një formë autizmi

06/02/2015 00:00

Një raport top sekret i Pentagonit ka dalë në konkluzionin se Vladimir Putin vuan nga probleme psikike, apo çrregullime neurologjike, të shkaktuara nga sindromi “Asperger”, i cili përshkruhet si një formë autizmi.

Studimi i vitit 2008, i cili bazohet vetëm në videot e Putinit, pretendon se nëna e Presidentit rus ka pasur një goditje mendore teksa ka qenë shtatzënë me të, gjë që ka lënë edhe pasoja të parikuperueshme me kalimin e kohës.

Për pasojë raporti shton se “zhvillimi i tij neurologjik ka qenë ndërprerë në mënyrë të konsiderueshme në foshnjëri”.

Stili autoritar i Putinit dhe fiksimi i tij për “kontroll ekstrem” është vetëm një mënyrë kompensimi për kushtet e tij, përfundon studimi.

Veprimet e Putinit kanë qenë nën një fokus të veçantë që prej vitit të kaluar, kur ai urdhëroi trupat ruse të aneksonin Krimenë dhe rajonet lindore të Ukrainës.

Raporti është përgatitur në vitin 2008 për Zyrën e Vlerësimit Neto të ushtrisë amerikane, një “think-tank” që vepron në fshehtësi të plotë, si dhe u shkrua nga Brenda Connors, një eksperte e analizës së modeleve të lëvizjes në Kolegjin e Luftës Detare, në Njuport të Rhode Island.

Ajo ka analizuar videot e veprimeve publike të Putinit, që datojnë herët në vitet 2000, e megjithatë ata nuk kanë pasur mundësi dhe akses për të skanuar trurin e tij.

Raporti doli në konkluzionin se “Presidenti rus vijon të ketë çrregullime neurologjike” dhe e përshkruan sindromin “Asperger” si një “çrregullim autik që prek të gjitha vendimet e tij”.

Studimi sugjeron gjithashtu se Putin vuan edhe nga një “lëndim” në trurin e tij që kur ishte ende në mitrën e nënës së tij, që mund t’i ketë shkaktuar asaj një krizë ndërsa ishte shtatzënë me të.

Kjo gjë mund të ketë ndikuar në mënyrën sesi ai mendon, apo mënyrën sesi ai lëviz pjesën e djathtë të trupit të tij.

Raporti shton se “forma primare e kompensimit për çrregullimin e tij është kontrolli ekstrem” dhe se “kjo reflektohet në stilin e vendimeve të tij, por edhe në mënyrën sesi ai qeveris vendin”.

Mes të cituarve në raportin në fjalë është edhe doktor Stephen Porges, i cili është tashmë profesior psikiatrik në Universitetin e Karolinës Veriore, e që thotë se “Putin trashëgon një formë autizmi”.

I kontaktuar nga media amerikane, Dr Porges tha se nuk e kishte parë raportin përfundimtar dhe se Putin thjesht mund të jetë i vështirë në ambiente publike. “Nëse kërkon të bësh diçka me të, ju nuk duhet të jeni në një marrëdhënie të rëndësishme shtetërore, por thjesht në një situatë kokë më kokë, diku në një vend të qetë”.

Sipas Shoqatës Kombëtare të Autizmit në Britaninë e Madhe, autizmi është një formë e çrregullimeve në zhvillimin e trurit, që prek mënyrën sesi njerëzit perceptojnë dhe komunikojnë me botën. Rreth 700 mijë njerëz në Britani janë prekur nga çrregullime të spektrit të autizmit, ndërsa “Aspergeri” është vetëm njëra prej mënyrave sesi preket i dëmtuari.

Edhe Albert Einstein mendohej të ketë pasur probleme me këtë sindrom, ashtu sikurse dhe Marilyn Monroe dhe Abraham Lincoln.

Top Channel