Nishani ‘hap luftën’ për ambasadorët. Rama: Po sulmon qeverinë

06/02/2015 00:00

Presidenti i Republikës duket se ka hapur një tjetër ‘front lufte’ me qeverinë. Këtë radhë beteja zhvillohet në lidhje me ambasadorët dhe kreu i shtetit shkaktoi habi kur tha se nuk do të dekretojë asnjë ambasador deri kur qeveria të këshillohet më parë me të.

I pyetur nga gazetarët, Kryeministri Rama pak më vonë, u shpreh se Presidenti ka bërë një zgjedhje të gabuar për rolin e tij kushtetues, teksa po sulmon për gjithçka qeverinë.

Presidenti i Republikës bën hapin e parë në publikimin e konfliktit me qeverinë, që tani duket qartë se është politik. Rasti është gjetur me dekretimin e ambasadorëve të rinj, por nga tre të tillë që pritet të dalin të hënën në seancë dëgjimore, emri ku është fokusuar Presidenti është një ish-minister i Partisë Demokratike, Visar Zhiti, që është i propozuari i mazhorancës së majtë për Ambasador në Vatikan. 

Presidenti i bëri të qartë qeverisë se nuk do të dekretojë më asnjë ambasador, të cilin qeveria nuk e ka konsultuar me të, detyrim të cilin kreu i shtetit ka habitur kur e ka paraqitur si kërkesë të Kushtetutës.

Top Channel: A është konsultuar qeveria më përpara për ambasadorët që ju keni dekretuar? Dhe, në dijeninë tonë nuk ka pasur një praktikë dhe ligji nuk e njeh konsultimin e qeverisë me Presidentin e Republikës për ambasadorët. A është kjo një praktikë e re e vendosur nga Presidenca, sepse duket si një paralele e asaj që qeveria kërkon për anëtarët e Gjykatës së Lartë kur kërkon konsultim nga ju për emërimin e tyre?

Presidenti Nishani: Nuk mund të bëjë paralelizma dhe qëndrimet e mia nuk janë për shkak të paralelizmave që mban qeveria duke kërkuar konsultë për emrat e Gjykatës së Lartë. Ka pasur raste kur janë njoftuar emra paraprakë, ashtu siç nuk ka pasur raste të tjera, por i kam tejkaluar për të mos krijuar vështirësi të panevojshme. Përsa kohë vijon të mosreflektohet nga kërkesat e përsëritura të mbështetura në Kushtetutë dhe në të drejtën institucionale të Presidentit të Republikës natyrisht që unë kam dhe obligimin tjetër kushtetues që të ruajë integritetin, imazhin e Institucionit të Presidentit të Republikës.

Informimin për këtë qendrim, Presidenti e parapriu duke akuzuar Ministrine e Jashtme se i ka bllokuar atij ftesat për aktivitetet ndërkombëtare.

Në mohim të kësaj akuze Ministri Bushati ka ironizuar si rekord të ri që një President të ankohet për një ministër që nuk e lë të dalë jashtë, ndërsa Kryeministri Rama deklaroi se nuk do t’i përgjigjet publikisht Presidentit.

“Çfarë kam për t’I thënë Presidentit, ia them vetëm në sy. Sigurisht pas 23 qershorit kemi një President që sulmon Qeverinë, por kjo është zgjedhja e Presidentit dhe nuk është zgjedhja jonë”, tha Rama.

Detyrimin e konsultimit të Qeverisë me të për ambasadorët, Presidenti thotë se e ka detyrim kushtetues, por i vetmi nen në ligjin themeltar të shtetit për këtë çështje është ai 92.

Në pikën “dh” të tij, thuhet vetëm se “presidenti me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare”, aq më pak ky detyrim është i parashikuar në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm. 

Top Channel